Berisha: Alternativa e Edi Ramës ka degjeneruar në historitë e baba Qemit

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Xhafzotaj-Fllakë-Bregdet, me gjatësi 13 kilometra dhe vlerë 360 milion lekë
Kryeministri Berisha mori pjesë të dielën paradite, në inaugurimin e rrugës Xhafzotaj-Fllakë-Bregdet, me gjatësi 13 kilometra dhe vlerë 360 milion lekë. Rruga e ndërtuar sipas standardeve moderne e bashkëkohore, e pajisur me të gjitha parametrat inxhinierike dhe sinjalistikën e duhur, u shërben 20 mijë banorëve të zonës. Kjo rrugë lidh fshatrat Xhafzotaj, Fllakë, Rinia, Jubë, Qerret, Katund i Ri, pjesë të komunës Rrashbull dhe fshatin Shenavlash. Gjithashtu rruga e re lidh aksin e autostradës Durrës-Tiranë me rrugën e vjetër Tiranë-Durrës. Në përshëndetjen drejtuar banorëve, kryeministri Berisha u shpreh se ky investim i madh dëshmon se inaugurohet një rrugë e parametrave më të mira ndërkombëtare të llojit të vet, nga e cila përfitojnë jo vetëm banorët e zonës, por edhe qindra e mijëra turistë që frekuentojnë këtë zonë. Duke premtuar se infrastruktura do të mbetet prioritet i 4 viteve që vijnë, kryeministri tha se shumë shpejt do të fillojnë investimet prej 400 milion lekësh, në rrugët e këtij territori, të cilat do të mundësojnë një rrjet rrugor, ndër më modernët në Shqipëri dhe më gjerë. Kështu, kryeministri përmendi ndër prioritetet, ndërtimin e rrugës Kthesa e Sukthit, Fllakë- Shënavlash me gjatësi 10 km dhe vlerë 315 milion lekësh, si dhe rrugën Katund i Ri-Qerret, me gjatësi 6 kilometra dhe vlerë 95 milion lekë. Kryeministri siguroi drejtuesit lokalë të zonës se do të kenë mbështetjen më të fuqishme të qeverisë për të shndërruar në realitet çdo projekt,i cili paraqet këto komuna njëlloj si komuna të tjera të vendeve të zhvilluara të Evropës. Gjatë 5 viteve të fundit, në dy komunat Xhafzotaj dhe Katund i Ri janë ndërtuar dhe po ndërtohen 52 km rrugë dhe segmente rrugore, 12 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh, 5 shkolla, 7 ambulanca dhe qendra shëndetësore, si dhe janë subvencionuar mbi 20 ha me ullishte, vreshta e dru frutorë. Më pas, kryeministri Berisha vizitoi zyrat e kompanisë “Diamant” e specializuar në transportin ndërkombëtar të ngarkesave dhe u takua me drejtues e punonjës të saj. Kjo kompani e njohur në shërbimet që ofron në fushën e transportit, ka kryer operacione transporti të ngarkesave të rënda me përmasa shumë të mëdha për disa projekte të rëndësishme për vendin. Duke i përgëzuar për punën e bërë, kryeministri Berisha në bashkëbisedimin me drejtuesit e kompanisë vlerësoi rritjen e madhe të eksporteve në vend, këto dy vitet e fundit, si dhe i njohu ata me masat që ka marrë dhe do të marrë qeveria në vazhdimësi për ti ardhur në ndihmë biznesit.
...