E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Alternativa jonë, investimi, Rama arkitekt i humbjes

TIRANË-Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rrugës Bërxull-Domje, në fshatin Domje. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nuk la pa përmendur kundërshtarin e opozitës, të cilin e vlerësoi para të pranishmëve në këtë aktivitet, si humbës dhe gënjeshtar.

“Në çdo rast, më lejoni dhe njëherë t’i rikujtoj z Rama se gënjeshtra është frika e njeriut nga vetja e tij, se gënjeshtra është dobësia më e tmerrshme e burrit dhe se ti nga mëngjesi deri në darkë, shpërndan vetëm gënjeshtra. Vëllezër, shkoi në Shkodër dhe ju tha shqiptarëve se kjo qeveri ka ndërtuar gjithsej 600 km rrugë, sot nxorri dordolecin e tij, se kjo qeveri ka ndërtuar 1800 km rrugë. Po more, Shqipëria që endeni ju aq km ka, por Shqipëria që shëtisim ne, ka 18 mijë km rrugë. “Le ta lemë gënjeshtrën e tij, në të shkuarën e tij. Por një gjë dua t’jua them, të jem i sinqertë me ju, nuk ka burrë në Shqipëri dhe arkitekt më të zot se ai, për humbje njëra pas tjetrës.”.

Sipas Berishës, Rama do të regjistrojë humbjen e radhës, më 23 Qershor.
“Nga humbja në humbje, po nuk regjistroi humbjen e radhës, ndaj 23 qershori po vjen, të ndahet përfundimisht me këtë grup njerëzisht të cilët me një akt të shëmtuar anti-shqiptar, me një akt të shëmtuar kundër interesave të çdo fëmije, çdo burri e çdo gruaje, bllokoi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe kalon nga mashtrimi në mashtrim”. 

Kryeministri shtoi më tej se alternativa e së djathtës është vetëm investimi.
“Cila është alternativa jonë, kopshte të reja, cerdhe, shkolla, kanalizime, vende pune, rritje rrogash, rritje pensionesh, po alternative tjetër kush është, e varfër në ide, e pasur me mashtrime e trillime të përditshme”.

Mandati i ardhshëm, premtoi Berisha, do të jetë infrastruktura moderne.
“Do jetë mandati i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne në cdo skaj të saj, mandati i ardhshëm, do jetë mandati i punësimit masiv të shqiptarëve, vetëm në rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve, në rrugë rurale dhe kombëtare, janë punësuar mbi 50 mijë shqiptarë për ndërtimin e tyre, për krijimin e mijëra bizneseve, kanë nxitur, prodhimin aty ku shkon rruga, aty nis biznesi, aty krijohet puna, aty krijohet ferma”, tha Berisha gjatë inaugurimit të rrugës Bërxullë-Domje.

Rikonstruksioni i rrugës Bërxullë – Domje, me gjatësi 5.3 kilometër, është një investim me vlerë 232,308,000 lekë, financim i qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës. Kjo rrugë u vjen në ndihmë 10.000 banorëve të kësaj zone dhe lidh fshatrat Berxullë, Domje dhe Laknas me rrugën nacionale Tiranë - Durrës dhe superstradën e Rinasit.

Ky investim shkurton kohën e udhëtimit krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës, duke lehtësuar gjithashtu lidhjen me qendrat administrative te komunës Berxullë dhe bashkise Kamez, shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›