Berisha: Ambasada ruse letër kërcënuese Shqipërisë! Kuvendi të miratojë rezolutë solidariteti për Ukrainën

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur nga foltorja e Kuvendit deklaroi se ambasada ruse në Tiranë ka dërguar një letër, sipas tij, kërcënuese për Shqipërinë.
Duke mos dhënë më shumë detaje, Berisha këtë letër e ka cilësuar si fyerje për shqiptarët, ndërsa shtoi se vetmja që nuk ka reaguar për situatën e tensionuar në Ukrainë është Shqipëria.
Sipas ish-kryeministrit Berisha, Rusia kërcënon të përdorë armë bërthamore kundër vendeve të lira, e për këtë ai i bëri thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë me urgjencë një rezolutë në solidaritet me Ukrainën.
“Dënoj letrën kërcënuese të ambasadës ruse në Tiranë drejtuar Shqipërisë dhe dua të theksoj se letra është një fyerje dhe kërcënim për çdo shqiptar. Është rrjedhojë fund e krye e kapitullimit të argatit të Beogradit në Tiranë para një shantazhi primitive të paprecedentë me të cilët përballet bota e lirë. Sot Rusia tejkalon si forcë e të keqes çdo forcë në kërcënim që ka njohur historia. Kërcënon të përdorë armë bërthamore kundër vendeve të lira.
Konsideron vende të tjera dhe përpiqet të shkatërrojë NATO. Vendi I vetëm që ka heshtur është një vend që ka një qeveri të drejtuar nga argati i Beogradit. Parlamenti duhet me urgjencë të votojë një rezolutë ku të shprehë solidaritetin e plotë me Ukrainën. Traktati i Budapestit, vendet zotohen që këtij vendi nuk do i preken kufijtë. Nëse më dëgjon.
Mos në ndërhy të lutem. E mora fjalën për replikë por ky është një problem madhor. Sot parlamenti është zgjuar i kërcënuar me një letër nga ambasada ruse. Ju bëni sikur nuk ka ndodhur gjë. E keqja më e madhe e kohërave është kërcënimi”, tha Berisha.
/rtsh.al/