E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Apel PS-së t'i rikthehemi traditës së bashkëpunimit

Kryeministri Sali Berisha në seancën e Kuvendit të Shqipërisë ftoi opozitën t'i rikthehet traditës së bashkëpunimit parlamentar. Ai pohoi se dëshiron që bashkë me opozitën të ulet të trajtojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit, reformat e bashkëpunimin në terësi. "Erdha t'i bëj thirrje PS-së t'i rikthehemi traditës më të mirë të bashkëpunimit parlamentar. Motoja e regjimit të vjetër ishte pushteti gjithçka, Shqipëria asgjë. Kjo fantazmë nuk duhet të ketë vend në asnjë qoshe të Shqipërisë. Garantoj se zëri juaj do dëgjohet ", u shpreh ai.

Kryeministri nënvizoi se një nga detyrimet që mazhoranca trashëgoi në 2005-ën ishte heqja e imunitetit, ndaj ftoi opozitën ta votonte. "Ndaj votoni të heqim imunitetin, sepse kjo ju bën nder juve. Nuk luftohet korrupsioni nëse nuk hiqet imuniteti", pohoi ai. Po ashtu kreu i qeverisë kërkoi votat e opozitës edhe për Gjykatën Administrative.

Berisha theksoi se opozita duhet të kritikojë qeverinë për të gjitha problemet, sepse është misioni i saj. "Por nuk mund të kritikohet gjithçka. është e vërtetë që në Shqipëria ka korrupsion, por OKB i dha vendin e dytë Shqipërisë për transaprencën në administratë. Ia dha se Shqipëria u bë vendi i parë në botë me 100% prokurime publike", nënvizoi ai. Berisha ftoi opozitën të shtrojë alternativa, pasi do dëgjohen.

Duke iu referuar çështjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, tha se shumë veprime i ka kryer në respekt të opozitës për të përmbushur kërkesat e saj.

"Kam bërë çdo ofertë në lidhje me hetimin për zgjedhjet, në respektin tuaj. Që në momentin që bëtë kërkesë në kundërshtim me vendimet e gjykatës, kuptova se qëllim është mos hyrja në zgjedhjet lokale dhe pengim i proceseve integruese", u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij, kryeministri shprehu vlerësim dhe falenderim për kryetarët e grupeve parlamentare të PE-së dhe ata që bënë përpjekje të mëdha për të zgjidhur problemin e qendrimit të PS-së ndaj zgjedhjeve dhe institucioneve të vendit.

"Ora News" po transmeton direkt seancën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›