E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Arifi: Bashkëpunim në infrastrukturë Shqipëri-Maqedoni

Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, kjo u konfirmua gjatë takimit të kryeministrit Sali Berisha me zëvendëskryeministren e Republikës së Maqedonisë, Teuta Arifi, e cila po zhvillon një vizitë në vendin tonë.
Arifi shprehu kënaqësinë që vizitën e saj të parë pas marrjes së detyrës së zëvendëskryeministres, po e zhvillon në Shqipëri.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u shpreh vullneti për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe qeverive, në veçanti vendosmëria për të zhvilluar projekte infrastrukturore që do të afrojnë më tej të dy vendet.

Ndërsa Berisha e njohu Arifin me disa nga projektet që janë në zhvillim apo pritet të fillojnë si Rruga e Arbrit që shkurton distancën Tiranë-Shkup me 100 kilometra, rruga Tiranë-Elbasan si pjesë e Korridorit 8, apo fillimin vitin e ardhshëm të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup.

Në takim u vlerësua gjithashtu si shumë i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, si një faktor nxitës për zhvillimin, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të tij. Gjithashtu u rikonfirmua se integrimi evropian është projekti madhor i vendeve të rajonit.

Kryeministri Berisha theksoi se “vendet e rajonit duhet të përqendrohen në heqjen e barrierave dhe krijimin e kushteve për vendosjen në rajon të rregullave të njëjta me ato që vendet e Bashkimit Evropian kanë vendosur mes tyre, që do të krijojnë mundësinë e një tregu të njëjtë në rajon, vendosjen e procedurave që reduktojnë kohën dhe ndihmojnë e lehtësojnë biznesin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve”.

                                                                                             2011-09-06 23:08
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›