E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanë, 4 Dhjetor 2011 referendumi në Greqi “PO apo JO në Euro?”

ATHINE- Me pyetjen “Po apo JO në Euro?” do të zhvillohet në 4 Dhjetor në Greqi, referendumi i rëndësishëm, i shpallur nga kryeministri Papandreu dhe i miratuar nga qeveria greke.
“Synimi i Evropës është që Greqia të mbetet në Euro, por vendimin do ta marrin qytetarët grekë”, thuhet në një deklaratë-ultimatum të përbashkët të lëshuar nga kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Sarkozy, menjëherë pas takimit të tyre me kryeministrin grek në Kanë.
Pa mundur t’i kthejnë mendjen kryeministrit grek, udhëheqësit evropianë e paralajmëruan atë se kësti i gjashtë i ndihmës do të jepet vetëm nëse Greqia do të ratifikojë të gjitha vendimet e marra në Samitin e 27 tetorit, të cilat janë të mira dhe duhet të zbatohen shpejt.
Për më tepër, Merkel dhe Sarkozi nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre lidhur me vendimin e Kryeministrit grek për referendum mbi marrëveshjen, duke e quajtur atë "të njëanshëm" dhe “pa u diskutuar me ta”.
"Ne e duam Greqinë në zonën e euros, por mbi të gjitha duhet të sigurojmë stabilitetin e euros" tha Merkel, ndërsa Sarkozi, në një linjë me kancelaren gjermane, tha se "gjendemi në një jostabilitet të madh. Duam që miqtë tanë grekë të jenë me ne, por ka një sërë rregullash për stabilitetin e eurozonës dhe euros, të cilat nuk duhet të cënohen." Të dy udhëheqësit bënë vazhdimisht thirrje për një konsensus të gjerë politik në vend.
Kryeministri Papandreu pavarësisht presioneve tha se “populli grek është i mencur dhe i pjekur mjaftueshëm për të marrë vendimet e duhura".
“Populli im kërkon që të jetë një partner i fortë në eurozonë”, tha Papandreu. Ai theksoi se marrëveshja e 27 Tetorit përmban disa vendime pozitive, për t’i hequr vendit dhe popullit barrën e borxhit dhe konfirmoi se data më e mundshme për referendum është e diel, 4 Dhjetor 2011. Kryeministri siguroi se me t’u kthyer në Athinë do të nisë konsultimet me partitë politike për organizimin e referendumit.
"Kam luftuar për një konsensus të gjerë në vend dhe tani dua të flas me njerëzit", tha Papandreu. “Një vendim pozitiv nga grekët do të jetë një vendim pozitiv për gjithë zonën e euros”, theksoi kryeministri i Greqisë dhe shtoi se “çdo gjë do të shkojë mirë edhe gjatë votëbesimit të qeverisë të premten dhe Greqia do ta marrë këstin e gjashtë”.
Kur u pyet për shtyrjen e dhënies së këstit të gjashtë të huasë në varësi të refrendumit, Kryeministri theksoi se “nuk ka asnjë problem, dhe nëse gjithcka shkon mirë, kësti do të vijë para kohës së pagesës së rrogave dhe pensioneve."
Ndërkaq priten zhvillime të shpejta politike, pas deklaratës së ministrit të Financave Venizelos sot menjëherë pas kthimit nga Kana se nuk duhet të zhvillohet referendum për ndarjen nga Euro. “Hyrja e Greqisë në euro është një ngjarje historike për vendin dhe nuk duhet të vihet në pyetje”, deklaroi Venizelos.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›