E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Arvizu Procesi eshte transparent cdo vote te vijoje te numerohet e sakte

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka takuar sot kryeministrin Sali Berisha.

Në këtë takim, ambasadori Arvizu ka qenë i shoqëruar nga vëzhguesit e OSBE-ODIHR, të cilët kanë ndjekur dhe ndjekin aktualisht nga afër ecurinë e procesit të numërimit të votave.

Kryeministria bën të ditur, se në këtë takim, ambasadori Arvizu ka theksuar se janë 60 vëzhgues në total, si përfaqësues të qeverisë amerikane, të cilët kontribuojnë për transparencën e zgjedhjeve, duke ndjekur në çdo çast procesin e numërimit të votave.

Sipas ambasadorit amerikan, ky mision vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë, fjalës së tij kreu i qeverisë Berisha, ka falënderuar qeverinë amerikane për kontributin e dhënë si dhe të gjithë vëzhguesit e huaj, për prezencën e tyre konstante pranë qendrave të numërimit të votave.

Berisha ka konstatuar transparencën maksimale për votimin dhe numërimin e votave për çdo qendër, ndërsa ka kërkuar që çdo votë të numërohet e saktë.

Sipas kryeministrit, procesi po zhvillohet mbi bazë ligjore solide dhe konsensuale, duke vënë theksin në rëndësinë e teknologjisë së lartë të numërimit, si një garë për transparencën.

Për sa i përket zgjatjes së procesit të numërimit të votave, kreu i qeverisë u shpreh se e rëndësishme është që praktika e numërimit të jetë e saktë dhe transparente.

Ndër të tjera, kryeministri Berisha ka theksuar gjatë takimit me ambasadorin Arvizu se vota rikonfirmoi besimin e zgjedhësve dhe se mazhoranca, do të pranojë çdo rezultat.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime edhe me kreun e Partisë Socialiste dhe kandidatin aktual për Bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›