E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Asnjë zyrtar i administratës nuk do të përdorë dot mjetet publike për fushatë elektorale

09-05-2013 / Gazeta 55

Urdhri i kryeministrit

“Kryeministri kërkon hartimin e urdhrit, i cili ndalon përdorimin nga ana e administratës, të mjeteve publike në fushatën elektorale”
 
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave hartimin e një urdhri të kryeministrit, i cili ndalon për të gjithë punonjësit e administratës, duke filluar që nga kryeministri që të përdorë mjetet publike në fushatë elektorale. Gjatë mbledhjes së përjavshme të Këshillit të Ministrave, Berisha tha se, “ky është standardi që kemi vendosur ne”. Ai iu referua akuzave të kundërshtarit politik, duke theksuar se, asnjë zyrtar i administratës nuk do të përdorë dot mjetet publike për fushatë elektorale. “Unë e kuptoj që rivali im që vrapon për të gjetur një gropë në rrugë dhe për të filmuar me një pasion të paimagjinueshëm për të faktuar se nuk janë ndërtuar rrugë, por nga ana tjetër shpall se kryeministri po udhëton me helikopter kur më sheh sa në një kënd, në një kënd tjetër të vendit. Unë e kuptoj se ai prapë do të deklarojë se unë po udhëtoj me helikopter, por unë prapë do të bëj vendimin e prerë se kryeministri dhe asnjë ministër dhe asnjë qeveritar vendor, asnjë zyrtar i administratës nuk do të përdorë dot mjetet publike për fushatë elektorale”- tha kryeministri.
Ai apeloi që partitë politike të marrin përsipër shpenzimet e tyre që ditën e parë të fushatës zyrtare. “Kjo është e drejtë sidomos të udhëhequr dhe nga fakti se qeveria disponon edhe më shumë mjete, për shkak të funksioneve zyrtare dhe ato nuk do të përdoren për fushatë elektorale”- theksoi kryeministri Berisha. Ndërkaq, afrimi i orës së fushatës elektorale nuk do thotë ulje e ritmeve të punës së qeverisë. I vetmi ndryshim që njoftoi kryeministri Sali Berisha i ndikuar nga axhenda elektorale, do të jetë vetëm orari i mbedhjeve të qeverisë, duke u spostuar në orët e pasdites.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›