Berisha: Autostrada, rruga e bashkimit të shqiptarëve
“Sot me ne këtu në Vërmicë është mbarë kombi shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi dhe diasporë. Gëzojnë së bashku me ne inagurimin sot të autostradës në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Të kësaj rruge madhështore që bashkoi shqiptarët në idealin e kombit shqiptar. Kështu e nisi fjalën e tij kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në ceremoninë e ingaurimit të 38 km të para të autostradës Vërmicë-Mërdar.
Kryeministri Berisha ka deklaruar se kjo rrugë bashkon shqiptarët dhe është realizim i idealeve të të parëve, që sakrifikuan për të bërë Shqipërinë e pavarur dhe Kosovën të lirë dhe të pavarur.
"Nderim burrit mendjendritur të idealit shqiptar profesor Ibrahim Rugovës. Kosova në më pak se tre vjet i dhuron qytetarëve të saj, kombit shqiptar, një kryevepër. Autostrada që ndërtohet është rruga e së ardhmes së Kosovës", theksoi Berisha.
Kryeministri Berisha ka vlerësuar hapat përpara që ka bërë Kosova në këto 3 vjet pavarësi ndërsa ka shtuar se duke inaguruar këtë autostradë Kosova i ka dhuruar kombit por edhe rajonit dhe Europës në tërësi një kryevepër infrastrukturore.
“Kjo është një rrugë me domethënie të madhe pasi shënon një agim të ri të vërtetë politik, social, ekonomik dhe kontribon për paqen dhe stabilitetin. Është një rrugë që Kosova investon për të ardhmen e qytetarëve. Kjo është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj. Për rrugën nuk ka këngë që mund të thuret më shumë se sa është rruga, nuk ka poezi që të përshkruhet sesa vetë kjo rrugë” ka theksuar më tej Berisha.