E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha BE e ardhmja me e mire per Shqiperine dhe Kosoven

Kryeministri Berisha priti sot në takim ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviç.

Berisha theksoi rëndësinë e kësaj vizite si një kontribut në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe për shkëmbimin e përvojave përsa i përket qeverisjes vendore, e cila është qeverisja e drejtpërdrejtë për qytetarin.

Ministri Petroviç e falënderoi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës.

Një falënderim të veçantë ministri Petroviç shprehu për kontributin që qeveria shqiptare ka dhënë për komunën e Graçanicës, duke theksuar se qytetarët e saj presin me kënaqësi të veçantë një vizitë të Kryeministrit në komunën e tyre.

Në takim, u diskutua vullneti i palëkundur i të dy qeverive dhe vendeve për të ndërtuar bashkëpunimin më të ngushtë në të gjitha fushat dhe për të krijuar lehtësirat më të mëdha për qytetarët e të dy vendeve, për shkëmbimet e tyre ekonomike, turistike, duke hequr të gjitha pengesat për lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave etj, për të arritur të njëjtat standarde si dhe ato që ekzistojnë në BE dhe duke e kthyer bashkëpunimin midis dy vendeve në shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

Në takim, u ritheksua se Bashkimi Europian është e ardhmja më e mirë e të dy vendeve, por dhe e mbarë rajonit.

Në këtë kontekst, u ritheksua mbështetja e plotë për dialogun Prishtinë-Beograd, për të gjitha çështjet teknike që kanë të bëjnë me çështje që prekin aspekte të jetës së përditshme të qytetarëve të dy vendeve dhe se fillimi i një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis tyre është interesi më i mirë për serbët dhe shqiptarët në Ballkan.

Sikundër u theksua se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial është dhe mbetet interesi më i mirë jo vetëm i Kosovës, por dhe i paqes, sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm të mbarë rajonit.

Në takim, u theksua gjithashtu rëndësia e procesit të decentralizimit, si shumë i rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë dhe qeverisjen e mirë në shërbim të qytetarëve.

Po ashtu, u vlerësua rruga e kombit, që përfshin rrugën Durrës-Kukës dhe atë që kalon në Kosovë, Vërnicë-Merdarë në punim e sipër dhe që do të shndërrohet në një nga korridoret më të rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, rajonin e më gjerë.

Gjithashtu, u vlerësua edhe ngritja e linjës së re të interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Prishtinë, që pritet të fuqizojë sistemet energjetike të të dyja vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›