E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha BERZH mbeshtetje te rendesishme per Shqiperine

Kryeministri Berisha priti në një takim dy përfaqësues të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jean Marc Peterschmitt, Drejtor Menaxhimi për Evropën Qendrore dhe Juglindore; si dhe Claudio Viezzoli, Drejtor për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

Përfaqësuesit e BERZH falënderuan Kryeministrin për pritjen, si dhe për bashkëpunimin e vendosur mes qeverisë shqiptare dhe BERZH, duke vlerësuar projektet që ata financojnë në fusha si infrastruktura, energjia, në asistencë teknike, etj.

Gjithashtu, Peterschmitt falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që qeveria shqiptare dhe ai personalisht kanë dhënë në organizimin nga ana e BERZH të Forumit të Energjisë në Tiranë.

Peterschmitt u ndal në financimin e 9 projekteve, me vlerë 95 milionë euro në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

Njëkohësisht, ai theksoi se BERZH-i po punon për një paketë të re investimesh për vitin 2012, me një vlerë prej 80 milionë euro, në fushën e energjisë, të infrastrukturës nacionale dhe atë rurale, në sigurinë e digave, si dhe mbështetjen për projekte të Bashkisë së Tiranës.

Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e lartë të BERZH, si dhe përfaqësuesin ekzekutiv të këtij institucioni në Tiranë, Fabio Serri, për mbështetjen financiare të projekteve në infrastrukturë e energji, si projektin e by-pass-it Fier-Vlorë, projektet infrastrukturore për zonat rurale, etj.

Ai vlerësoi kontributin e veçantë të BERZH në sektorin e energjisë, në këtë sektor kyç për ekonominë e vendit.

Kryeministri Berisha shprehu nevojën dhe besimin për vazhdimin e financimit të projekteve nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, edhe në të ardhmen, veçanërisht për mbështetjen e Bashkisë së Tiranës në projektet e saj për Terminalin e Autobusëve, për Terminalin e Trenit, si dhe për projekte të tjera.

Kryeministri vlerësoi se mbështetja e BERZH është shumë e rëndësishme për zgjerimin e kreditimit të sektorit privat në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›