Berisha: Ballagati i dha mësim, Rama s’njeh popullin
Qemal Biraku
Fitorja e PD-së në zgjedhjet për kreun e komunës së Ballagatit lexohet nga Kryeministri Berisha, si një tjetër mësim për kreun e PS-së, Edi Rama, pas 28 qershorit. Nga jugu i Shqipërisë, ku ka zgjedhur të pushojë për disa ditë, kreu i ekzekutivit, i është rikthyer dje përurimeve, teksa ka prerë shiritin për një ujësjellës pranë Palasës. Berisha ka përshëndetur zgjedhësit e Ballagatit, të cilët sipas tij konfirmuan besimin ndaj kësaj maxhorance. “I garantoj ata se vota e tyre do të shndërrohet në një mirësi konkrete për çdo fermer të Ballagatit. I falënderoj ata për mësimin e shkëlqyer që i dhanë Edi Ramës, i cili në arrogancën e tij, në fodullëkun e tij, e ka të vështirë të nxjerrë mësime”, u shpreh Berisha. Duke iu rikthyer zhvillimeve të pak ditëve më parë të Asamblesë së Partisë Socialiste, kreu i maxhorancës i ka kërkuar Ramës që të njohë rezultatin e zgjedhjeve, në të kundërt sipas tij, kreun e PS-së e pret një ndëshkim akoma më i madh. “Në asamblenë e tij, të cilën e mblodhi megjithëse është mandat humbur, deklaroi se nuk do të njihte zgjedhjet. Unë dua t’i them zotit Rama, këtu nga Dhërmiu, këto fjalë: Në qoftë se ti, nuk njeh popullin tënd, kujdes se do të marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është se ai nuk do të njohë ty fare. Populli është i përjetshëm, kurse politikanët si ti, janë limonata të përkohshme, që thartohen në verën e parë, dhe kështu u thartove edhe ti. Kjo është e vërteta. Megjithatë, atë që duhet t’i themi ne, ia tha Ballagati, sepse nga parti që kishte fituar zgjedhjet dy vjet më parë, humbi me 73 për qind, mbeti me 26 për qind dhe do të shkojë drejt 17", vijoi më tej kreu i qeverisë. Duke folur nga një prej zonave më turistike të jugut, Berisha u kërkoi banorëve vendas të investojnë në prodhimet e agrumeve. Në të njëjtën kohë ai hodhi idenë e kreditimit për zgjerimin e banesave të tyre, me qëllim rritjen e kapaciteteve për pushuesit. “Të ardhurat e turizmit janë të mëdha dhe shumë të rëndësishme, por të mos harrojmë që prodhimet tuaja në ullinj dhe agrume, mund të jenë gjithashtu për ju shumë të mëdha dhe të rëndësishme. Ndaj le t’i kthehemi atyre dhe të jetë një qëndrim kompleks ndaj zonës tuaj, sikundër do të përpiqemi të bëjmë çmos t’ju kreditojmë për zgjerimin e banesave dhe ndërtimin e banesave të reja”, u shpreh Berisha. Gjatë mesditës, kreu i ekzekutivit inauguroi sheshin “Petro Marko”, në qendër të fshatit Dhërmi. “Petro Marko është një kapiten i vërtetë i letrave shqiptare. U gëzova kur mora vesh se Qarku e ka nderuar me titullin “Nderi i Qarkut”. Por në të vërtetë ai është nderi i kombit. Ndaj dhe Ministria e Kulturës do të marrë përsipër gjatë vitit që vjen të rindërtojë shtëpinë muze të tij, sikundër të hapë një konkurs për të derdhur në bronz bustin e shkrimtarit të madh, një nga burrat më të shquar të mendimit shqiptar dhe një luftëtar i paepur i lirisë që në vitet e rinisë”, theksoi Berisha. Në këto takime, ai ishte i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, dhe deputetë të qarkut të Vlorës.