E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dialogu i panjohur me Hrushovin në mbledhjenm e Moskës, Enverin e fyen qen e bukëshkalë”

 

Afrim Imaj

“Shqipëria nuk shitet për 30 aspra. Ne dhe bar do të hamë, dhe parimet nuk i shkelim”. Qëndrimi stoik i Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 partive në Moskë, për një kohë të gjatë u bë krenaria e komunistëve shqiptarë. Së paku me aq sa përzgjodhi propaganda e kohës nga qëndrimi i delegacionit shqiptar përballë Hrushovit, u synua shtërngimi i radhëve në përballimin e vështirësive vetëm me forcat tona.
Përtej këtij konteksti historik, Agim Popa njeriu që përktheu fjalën e Enver Hoxhës në sallën Gjovgjeskaja, ka përjetuar nga afër të gjitha detajet e asaj përplasje, që do pasonte me divorcin e madh. Në fakt, kujton ai, marrdheniet vëllazërore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, ishin plasaritur më herët, qysh pas Kongresit të XX të PK të BS. Sipas kronologjisë së profesor Popës, zyrtarisht lidershipi shqiptar shprehu rezervat e para për kursin e ri të Moskës në Konferencën e Tiranës të vitit 1956 dhe u pozicionua kundër Hrushovit në  Mbledhjen e Bukureshtit. Pikërisht në këtë klimë përplasjesh Hrushovi u gjënd mysafir në Tiranë, për të treguar “muskujt” e supershtetit dhe për tu bërë të qartë kolegëve shqiptar situatat e rrezikshme në kushtet e mosënështrimit ndaj filozofisë së re të implementuar nga Moska në emër të kauzës dhe revolucionit. Në numurin e kaluar, zbardhëm mesazhet e panjohura që konsumoi kreu i Kremlinit në bisedimet me Enverin në Tiranë në vitin 1959, sipas kujtimeve dhe ditarit të Profesor Agim Popës. Zyrtari që bëri përhtyesin, zbulon për herë të parë rrethanat e tensionuara dhe ndërhyrjet provokuese të Hrushovit gjatë takimeve me drejtuesit e lartë të partisë komuniste shqiptare. Në numurin e sotën, përkthyesi i Hoxhës rrëfen konfliktin e hapur në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë, ku kreu i delegacionit shqiptar kapërceu çdo cak miqësie dhe denoncoi si tradhti strategjinë e re të iniciuar nga Hrushovi. Ndryshe nga mënyra si hymnizohej në Tiranë qëndrimi i Enverit në sallën Gjeovgjeskja, Profesor Popa tregon anën tjetër të medaljes e cila ka të bëjë me reagimin dhe shpërfilljen e delegatëve të tjerë ndaj tij, pjesë kjo e panjohur  nga opinioni për arsyet që tashmë dihen. Gjithsesi, sipas Popës, menjëherë pas kësaj përplasje, u konturua divorci i madh që kaloi nga disancimi politik te ai ekonomik, ushtarak, kulturor e deri te ndërprerjet e menjëhrëshme të të gjitha marrdhënieve dy paleshe...
 Zoti Agim! Ju keni qenë pjesë e delegacionit shqiptar në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste të Moskës. Kush jua komunikoi pjesëmarrjen në të?
Unë nuk kam qenë pjesë e delegacionit zyrtar të Partisë, por kam shkuar me të për të ndjekur punimet e Mbledhjes së 81 Partive Komuniste, i ngarkuar nga sekretariati i Komitetit Qendror. E vërteta është se pjesëmarrja e Shqipërisë në atë kuvend historik, ka qenë një nga momentet më të vështira që kishte përjetuar, së paku deri në atë periudhë, udhëheqja e lartë e Partisë së Punës. Deri në çastin e nisjes për në Moskë ishin bërë me dhjetëra takime, konsulta e mbledhje të ndryshme me funksionarët më të lartë të KQ. Ishte një situatë që ndiqej e menaxhohej si rrallë ndonjëherë drejtpërdrejt nga Enver Hoxha…
Cilët ishin anëtarët e delegacionit zyrtar të Partisë që morën pjesë në Mbledhjen e Moskës?
Delegacioni kryesohej nga Enver Hoxha dhe në të bënin pjesë Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia. Ndërkaq, bashkë me të shkoi në Moskë një grup këshilltarësh, përkthyesit dhe personeli i shërbimit dhe sigurisë. Unë bëja pjesë në grupin e punës që merrej me përkthimin e materialeve, në të cilin bënte pjesë edhe Foto Çami e Frederik Gjerazi. Po kështu, bashkë me ne ishin dhe dy këshilltarët e KQ Mufit Mushi e Haxhi Kroi. Gjatë gjithë kohës të gjithë qëndruam pranë delegacionit dhe vazhdimisht, sidomos në pushime midis seancave mblidheshim e diskutonim bashkërisht për të papriturat nga zhvillimet e mbledhjes dhe debateve që konsumoheshin në të.
Kur mbërriti në Moskë delegacioni shqiptar dhe si ishte situata që përjetuat gjatë kontakteve të para atje?
Në Moskë arritëm në 4 nëntor ‘60, pra disa ditë para zhvillimit të mbledhjes. Ishte parashikuar që të merrnim pjesë në festimet që do të bëheshin në datën 7 nëntor aty me rastin e ditës së revolucionit proletar. Përgjithësisht, deri ditën e ceremonive festive nuk konstatuam ndonjë reagim të veçantë të palës sovjetike. Gjërat rrodhën normalisht dhe jehona e festës me sa dukej kishte fashitur diferencat, që ishin shfaqur deri atëherë midis dy partive tona. Sidoqoftë kjo gjendje nuk do vazhdonte gjatë…
Është folur se Enveri gjatë qëndrimit në Moskë, nuk ka pranuar të vendosej në vilën rezidenciale, që i kishte rezervuar protokolli zyrtar. Si është e vërteta?
Për delegacionin shqiptar ishte rezervuar një vilë e veçantë në kodrat “Lenin”, në periferi të Moskës. Që ditën e parë, të katër pjesëtarët e tij u vendosën aty. Ndërkaq, ne të tjerët që bënim pjesë në grupin ndihmës, u sistemuam në ambasadën tonë në Moskë.
Po delegacioni ynë, nuk do qëndronte gjatë në vilën rezidenciale. Sa filluan përplasjet e para në mbledhjen e partive komuniste, Enveri urdhëroi transferimin e tij në godinën e ambasadës tonë. Situata e ndezur dhe debatet shqiptaro-sovjetike në sallë, e bënte Enverin të mos ndjehej i sigurt në vilën që i kishte rezervuar Hrushovi. Gjithsesi, edhe në ambasadë flitej se ndjeheshim të rrezikuar. Vet Enveri në disa raste na tërhiqte vëmendjen për të qenë syçelë. Mbaj mënd që kur hapnim materialet e diskutonim në mbrëmje për zhvillimet e mbledhjes, ai na i bënte me shenjë për t’i mbuluar, gjithnjë i bindur se godina ishte e pajisur me kamera të fshehta dhe përgjues të ndryshëm. E vetmja mënyrë komunikimi na mbeti dialogu me shkrim midis njëri-tjetrit. Pra, atë që duhej ta thoshim e shkruanim në një letër dhe ia vinim para syve njëri-tjetrit dhe me të njëjtën mënyrë merrnim dhe përgjigjen…
Çfarë mbani mënd nga çastet e dialogëve në sallën e Mbledhjes?
Ishim përgatitur që në Tiranë se do të ballafaqoheshim me të papritura të llojeve të ndryshme. Në fakt, ato u shfaqën që në fillim të mbledhjes, me vendin e rezervuar për delegacionin tonë,   në krahë të podiumit ku do të flisnin diskutantët, të cilët do tundin gishtin mbi kokën e Enverit sa herë do binte fjala për marrëdhëniet me partinë tonë. Ideja e organizatorëve ishte për të vënë në pozitë tunduese liderët shqiptarë, që deri në atë kohë ishin shfaqur të pabindur…
Po kur foli Enveri, cili ishte reagimi i Hrushovit dhe delegatëve të tjerë në sallë?
Në fakt deri në momentin kur do fliste Enveri kritikat ndaj delegacionit shqiptar ishin të zakonshme e për çështje të parëndësishme. Rrebeshi filloi pas diskutimit të tij. Fill pas falës së Enverit salla që sa duket ishte mbushuar me idhtarë të Hrushovit, u ndez me fyerje e sharje të shumta. Kundërshtarët e shumtë ndaj qëndrimit tonë u vunë si në garë kush e kush më parë ta kryqëzonte kreun e delegacionit tonë. U krijua një situatë teje e rëndë.
Çfarë mbani mënd nga përplasjet pas fjalës së Enverit në Mbledhjen e 81 Partive?
Reagimi i parë në sallën e mbledhjes së 81 partive u ndie në datën 13 kur diskutoi përfaqësuesi i Partisë Komuniste kineze. Sidoqoftë, gjërat nuk shkuan në kufijtë kritike. Situata u acarua më datën 16 kur foli Enveri. Të gjithë fjalën e tij unë dhe Frederik Gjerazi e ndoqëm nga kabina e përkthimit. Enveri fliste në shqip dhe ne e kumtonim për sallën në rusisht. Prej aty ndiqnim reagimin e sallës. Ishte një situatë që pritej. Që kur drejtuesi i seancës bëri prezantimin: “Tani fjalën e merr kryetari i Partisë Komuniste shqiptare, shoku Enver Hoxha”, u dëgjuan pëshpërimat e para. Sidoqoftë, Enveri që me sa dukej e priste këtë, filloi qetë-qetë diskutimin e vet që e kishte përgatitur në Tiranë. Njëherazi me të nisëm edhe ne duke komunikuar në rusisht me delegatët e pranishëm. Menjëherë sa mbaroi fjalën Enveri shkoi e u ul në vendin e tij. Të njëjtën gjë bëra dhe unë me Frederik Gjerazin. Dolëm nga kabina e përkthimit dhe u vendosëm në karriget prapa delegacionit tonë për të ndjekur rrjedhën e debateve. Tashmë në qendër të tyre ishte vendosur Enveri. Një stuhi e vërtetë sulmi nisi ndaj tij. 
A është e vërtetë që Enver Hoxhën pas fjalës në Mbledhjen e 81 Partive, e kanë fyer rëndë dhe kush ishin liderët që e sulmuan më ashpër?
Në fakt, mbledhja e Moskës ishte një kuvend i parapërgatitur. Prej saj synohej sanksionimi i vijës antistaliniste. Kjo strategji ishte përpunuar e dirigjohej nga vet Nikida Hrushovi, i cili prej aty do të konturonte një klimë tjetër jo thjesht për BS, por për mbarë vendet e demokracive popullore. Enver Hoxha dhe pjesa tjetër e liderëve shqiptarë e kishin vlerësuar këtë më herët si devijim nga rruga e revolucionit dhe e Marksizëm-Leninizmit. Në thelb, kjo ishte vija ku ndaheshin dy opsionet. Nga njëra anë Hrushovi me satelitët e tij të ashtuquajtur në propagandën e kohës “revizionistë” dhe në anët tjetër Enveri dhe një pakicë e liderëve të vendeve të tjera, që nuk lëshonin pe nga rruga e Stalinit. Ishte kjo arsyeja që Hrushovi u vu në krye të reagimeve shpërfillëse e denigruese ndaj Enverit. Gjestet e tij inkurajonin njëri pas tjetrit liderët vasalë, të cilët nuk i reshtën deri në fund fyerjet e sharjet në adresë të Enverit dhe të Partisë së Punës…
A ju kujtohen njerëzit që ofenduan Enverin?
Pati shumë, por në mëndje më kanë mbetur dy prej tyre. Një farë Dolores Ibarruri, kryetarja e delegacionit të Partisë Komuniste të Spanjës, e cila ishte e papërmbajtur në reagimin e saj, sa mbaroi fjalën kryetari i delegacionit tonë, u çua pa marrë leje dhe aty nga vendi lëshoi një lumë me fyerje në adresë të Enverit. “Ti je qeni që kafshon dorën që të zgjatet për ndihmë. Qeni bukëshkalë!” Ajo arriti deri aty sa përçmoi dhe pamjen fizike të tij me një zhargon përbuzës e denigrues. Pas saj e mori fjalën me një profil të shpërfytyruar Vladaslov Gomulka i Partisë Komuniste të Polonisë, i cili i kujtoi Enverit se ishim aty për çështje të mëdha dhe jo për dokrra si ato të tij. Gomulka me një zë të çjerrë e mbylli reagimin e tij me shprehjen: “Ti, Enver nuk fole si udhëheqës partie, por si rrugaç ordiner, si një Don Kishot që nuk ke për t’u rregulluar kurrë…”
Ndërkaq, si reagoi Enveri dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar?
Ishte një moment shumë i rëndë për tërë pjesëtarët e delegacionit shqiptar. Asnjëherë nuk e kam parë në atë gjendje Enver Hoxhën, i cili dëgjonte me vëmendje çdo kryqëzatë në adresë të tij dhe rrinte në heshtje, duke pritur me padurim çastet e mbylljes së seancës. Ajo që më është fiksuar në kujtesë është mënyra si s’postonte vështrimin në drejtim të kundërt me ata që çoheshin dhe e sulmonin me lloj-lloj epitetesh denigruese. Të njëjtën gjë bënin dhe të tjerët...
Vijon nesër

Në Moskë shqyrtohej vërshimi i gjermano-lindorëve drejt Berlinit Perëndimor
“Ramiz Alia u përjashtua nga mbledhja për Murin e Berlinit”

Ka qenë një moment tjetër delikat në Moskë, pas Mbledhjes së 81 Partive në nëntor të vitit 1960. I pari delegacion shqiptar që mori pjesë në takimin e nivelit të lartë në Kremlin i kryesuar nga Ramiz Alia, në atë kohë sekretar i KQ, pas konfliktit të bujshëm, u detyrua të kthehej në atdhe pa mbërritur mirë. Hrushovi që kishte thirrur homologët e vendeve të demokracive popullore për të diskutuar parandalimin e eksodit masiv nga Gjermania Lindore drejt asaj Perëndimore, nuk pranoi të ulej në tavolinë me delegacionin shqiptar. Teksa të tjerët filluan të shkëmbejnë mendime për mënyrën e bllokimit të vërshimit të gjermano-lindorëve përtej kufirit shtetëror nëpërmjet të famshmit Mur të Berlinit, kreu i Bashkimit Sovjetik urdhëroi daljen jashtë të Ramiz Alisë dhe pjesëtarëve të delegacionit shqiptar, duke e arsyetuar me nivelin e ulët të përfaqësimit(!). Me rikthimin në Tiranë të dëbuarit nga Moska filluan avazin e kahershëm, duke fshikulluar te “Zëri i Popullit” sjelljet revizioniste. Profesor Popa, zyrtari i zgjedhur për të bërë përkthimin e bisedimeve për çështjen e Murit të Berlinit, e ka ruajtur këtë moment në ditarin e tij...
20 shkurt 1961
Nga takimet me përfaqësuesit e Partive M-L, që morën pjesë në Kongresin e IV të PPSH-së
Delegacioni sovjetik kryesohej juridikisht nga Pjetër Pospjellov, kandidat i Presidiumit të KQ të PK të Bashkimit Sovjetik. Në fakt,  drejtuesi i vërtetë ishte Andropovi, i cili kryente detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror. Më herët, Andropovi kishte qenë ambasador në Hungari, pikërisht në vitin 1956 në kohën e pushtimit nga trupat sovjetike. Ndërkaq, në momentet që u largua Brezhnjevi u bë për një farë kohe sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BS.
Pala Sovjetike në takim ngulte këmbë që nëndetëset e Pashalimanit t’u kalonin sovjetikëve, ndërsa ekuipazhet shqiptare të hiqeshin fare dhe baza të komandohej tërësisht nga sovjetikët. Kërkesa e tyre u refuzua menjëherë nga udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe u konsiderua si metodë e presionit ekonomik e politik etj., etj.         
Problemi i dytë që u diskutua kishte të bënte me urdhrin që kishte dhënë Moska për tërheqjen e të gjithë specialistëve sovjetikë, sidomos të atyre që merreshin me nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Më herët, qeveria shqiptare kishte bërë kërkesë zyrtare, që ata të vazhdonin të qëndronin në Shqipëri, por përgjigjja nuk erdhi asnjëherë. Përkundër këtij reagimi Moska kishte filluar të tërhiqte specialistët nga vendi ynë.
9 Gushtit 1961
Takimi në Moskë për ngritjen e Murit të Berlinit
  Me Ramiz Alinë në krye të delegacionit, morëm pjesë në takimin e sekretarëve të partive komuniste e punëtore për problemin gjerman. Objekti i takimit: Shqyrtimi i situatës pas eksodit masiv të shumë gjermano-lindorëve për në Republikën Federale gjermane përmes Berlinit Perëndimor. Hrushovi refuzoi ta pranonte në takim Ramiz Alinë, duke pretenduar se duhej një nivel më i lartë përfaqësimi, që nënkuptonte Enverin ose Mehmetin.
Përfundimisht, u larguam nga takimi dhe u kthyem në Shqipëri. Të nesërmen e kthimit botuam në shtypin e Tiranës fjalën që do të mbante delegacioni në takim, në të cilin pasqyrohej qëndrimi i vendosur i PPSH-së për çështjen gjermane, në përkrahje të Republikës Demokratike të Gjermanisë, etj. Mbledhja e Moskës e zhvilluar pa praninë tonë vendosi për të filluar menjëherë ngritjen e Murit të Berlinit, i cili fitoi një famë të keqe dhe nuk ofroi ndonjë zgjedhje të vërtetë të problemit gjerman, përkundrazi shkaktoi një dëm të madh.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›