E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballagat, Sharka i PD fiton me 660 vota diferencë

 

Partia Demokratike fiton zgjedhjet për kreun e komunës së Ballagatit. Zgjedhjet e pjesshme në këtë komunë të Lushnjës u fituan nga Sherbet Sharka kandidat demokrat, me një diferencë prej 669 votash ndaj rivalit të socialist, Neshat Sharka. Diferenca e ndjeshme e votave u bë prezent pardje që në numërimin e dy kutive të para, ku Sharka kishte një diferencë prej 300 votash përballë kandidatit socialist. Nga numërimi i tetë kutive të votimit mësohet se demokrati ka marrë 1063 vota kundrejt 395 vota që kishte marrë socialist me një njëjtin mbiemër. Numërimi i 8 kutive të votimit ka përfunduar pas orës një mesnate. Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli në 8 qendrat e votimit, procesi në Ballagat ka ecur normalisht, të qeta dhe pa incidente, ndërsa kanë votuar 1478 nga rreth 2500 banorë. Pjesëmarrja në votime ka qenë mbi 50 për qind e votuesve. Në procesin e numërimit të votave mësohet se kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues nga administrata e KQZ-së, e cila ka ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Votat janë numëruar në prani të dy kandidatëve për kryetar komune, si dhe nuk ka pasur kontestime. Në këto votime të pjesshme nuk u përdor sistemi i kamerave për filmimin e procesit të numërimit të votave. Zëdhënësi i KQZ-së, Olli thekson se shpallja e rezultatit përfundimtar nga ana e KQZ-së do të bëhet nesër, duke respektuar edhe afatin ligjor në rast ankimimesh nga ana e partive politike pjesëmarrëse në këtë proces. Pas kalimit të këtij afati do të realizohet më pas edhe vendimi për shpalljen e rezultatit përfundimtar zgjedhor. Zhvillimi i zgjedhjeve të pjesshme u vendos me dekreti i datës 17 qershor nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, pas shkarkimit të kryetarit të mëparshëm të komunës. Fatos Sharka u shkarkua për abuzim detyre, ndërsa gjykata e dënoi atë me 2 muaj burg dhe 3 milionë lekë gjobë për të njëjtën akuzë. Ish-kryetari Fatos Sharka fitoi si kandidat i pavarur në zgjedhjet vendore të 2007, për faktin e vetëm se nuk pranoi koalicionin PS-LSI. Ai ishte anëtar disavjeçar i Partisë Socialiste në Lushnjë dhe Ballagat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›