Berisha: Ballkani kërcënohet nga Albanofobia
Një pjesë të madhe të fjalimit të tij, Berisha ia ka kushtuar pikërisht marrëdhënieve në Ballkan, duke thënë se në këtë rajon ekziston një rrezik, dhe që është ai i Albanofobisë. Si rast, Berisha ka marrë kryeministrin aktual të Serbisë, Ivica Daçiç. Por unë mendoj se, pavarësisht nga progresi i jashtëzakonshëm që ka njohur rajoni ynë, sërish ai përballet me probleme e sfida për tu zgjidhur. Këto probleme ekzistojnë në përpjekjet për të vështirësuar funksionimin e Federatës së Bosnje -Hercegovinës, përpjekjet për të kontrolluar me struktura paralele tre komuna të veriut të Mitrovicës dhe shndërruar ato në vatra të fuqishme të krimit të organizuar dhe kontrabandës, këto janë probleme serioze në rajon. Me qëndrimet ndaj Bosnjës dhe veriut të Mitrovicës, qarqe ultranacionaliste të Beogradit dëshmojnë se nuk kanë hequr dorë nga ëndrra e tyre e keqe që zhyti Ballkanin në njërin prej konflikteve më të egra të historisë së tij. Unë mendoj se respektimi i kufijve ekzistues në rajonin tonë, shndërrimi i tyre në kufij evropianë, është kusht themelor për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Por duhet të theksoj se një tjetër kërcënim në Ballkanin perëndimor është Albanofobia. Ky fenomen ka lënë gjurmë në sjelljen e fqinjëve ndaj shqiptarëve për dekada dhe shekuj. Kjo doktrinë racizmi, urrejtjeje dhe përçmimi ndaj shqiptarëve, fatkeqësisht, ka edhe sot shpërthimet e veta të shëmtuara. Nuk mund të kenë shpjegim tjetër sulmet politike ndaj shqiptarëve të Preshevës ditën e heshtjes zgjedhore, të drejtuara nga njeriu që sot drejton ekzekutivin e Serbisë, me qëllimin e vetëm terrorizimin e shqiptarëve, që ata të mos dilnin në zgjedhje për të pasur deputetin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Dhe sot, pas gati 70 vjetëve, këta njerëz nuk kanë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Gjithashtu, është e pa justifikueshme denoncimi i nderimit të luftëtarëve të lirisë që, me sakrificën e tyre sublime, bënë të mundur Marrëveshjen e OHRIT, që përbën një bazë solide për paqen, stabilitetin e Maqedonisë. Unë u ndala tek këto dy raste, por ka dhe shfaqje te tjera, të cilat janë dhe mbeten të papranueshme për shqiptarët.