E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Banorët e Orikumit, do marrin tokën

Kryeministri nuk përmend incidentin me policinë dhe implikimin e mikut të familjes së tij, Rrahman Selmanllari


TIRANË- Kryeministri Sali Berisha reagoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD -së për skandalin e tokave në Orikum, ku është implikuar edhe miku i familjes së tij, Rrahman Selmanllari.


Pa përmendur Selmanllarin, Berisha ka pohuar se pronën që kanë marrë tokën në bazë të ligjit 7501, do ta kenë edhe në pronësi. "Rama u tha qytetarëve të Orikumit se Berisha nuk ka mbajtur premtimin. E garantoi zotin Rama se Berisha do të mbajë çdo premtim. Kjo nuk ka diskutim.


Atë premtim që kam bërë për tokat e fermave, atë e kam dekretuar dhe në radhë të parë, i dal zot vetes time. Unë si President i Republikës bëra dekretin, e kam bërë me vetëdijen më të plotë, bëra dhe ligjin.


Ndodhi një manovër parlamentare e zakonshme që ma dështoi, por kjo shumicë do ta kalonte atë ligj", - tha dje Berisha. Sipas tij, ky premtim nuk është bërë vetëm për Orikumin, por edhe për shumë zona të tjera. Kreu i ekzekutivit u shpreh gjithashtu, se mënyra e sjelljes së Edi Ramës duke nxjerrë njerëzit jashtë nga salla në Orikum nuk është një sjellje produktive.


Berisha shtoi se, kryetari socialist nga njëra anë u thotë banorëve të Orikumit se Berisha nuk ka mbajtur premtimet dhe nga ana tjetër i nxjerr jashtë nga salla. "Ai premtim nuk është bërë vetëm në Orikum, është bërë në Ksamil dhe në shumë vende të tjera dhe do të mbahet. Ai nga njëra anë u kujton premtimin tim dhe nga ana tjetër i nxjerr jashtë. Të mos nxjerrë njerëz nga salla.


Ato çfarë kam premtuar, unë do t'i zbatoj,"- u shpreh dje Berisha. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë që ai drejton, Berisha bëri të ditur edhe piketat kryesore të buxhetit të vitit 2010, sipas të cilit pushteti vendor do të marrë gjithë fondet e nevojshme për zhvillimin e bashkive dhe komunave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›