E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doda, të ardhurat vjetore 27 mijë euro

Familja Doda-Demi rezulton që të jetë pronare e dy apartamenteve dhe 1 vile me vlerë 238 mijë euro


Deputetja e qarkut të Fierit, Mesila Doda, ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë që nga viti 2006 kur është emëruar zëvendës Kryetare e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve.


Sipas deklarimit fillestar, Doda është pronarja e një apartamenti 145 m² me vlerë 5 milionë lekë, i një autoveture tip "KIA" me vlerë 12.600 euro, llogari rrjedhëse 7000 euro dhe 400 mijë lekë, dhe i dy kredive me vlere totale rreth 33 mijë euro.


Apartamentin dhe makinën Doda deklaron se e ka marrë me anë të dy kredive të marra. Po ashtu në deklaratë ajo ka pasqyruar edhe të ardhurat nga puna e bashkëshortit në një televizion të cilat në total kapin vlerën e rreth 34 mijë eurove.


Gjatë vitit Doda ka kryer disa lëvizje të vogla në llogaritë e saj bankare, ndërsa ka deklaruar të ardhurat nga paga e saj si zëvendës kryetare e KKRT-së dhe të bashkëshortit. Ka vazhduar së shlyeri kreditë e marra për blerjen e apartamentit duke e zbritur totalin për tu paguar në 4 milionë lekë. Gjithashtu është duke shlyer edhe kredinë për makinën nga e cila kanë mbetur edhe 3 mijë euro.


Në vitin 2007 Doda është zgjedhur kryetare e KKRT-së. Në deklaratën e pasurisë ajo ka pasqyruar të ardhurat nga paga rreth 1.4 milionë lekë dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortit.


Në total të ardhurat familjare vjetore kapin shifrën e rreth 27 mijë eurove.
Gjatë këtij viti, Doda ka blerë edhe një apartament në një fshat turistik në Malin e Robit më vlerë 65.500 euro. Nga këto, 50 mijë euro deklaron se i ka marrë kredi ndërsa pjesën tjetër e ka plotësuar nga kursimet familjare.


Pas marrjes edhe të kësaj kredie, Doda është duke shlyer edhe dy të tjera, njërën për shtëpinë në Tiranë dhe tjetrën për makinën për të cilën gjatë këtij viti ka paguar këstin e fundit.


Gjendja e kredisë së marrë për shtëpinë në Tiranë ka zbritur në 3.8 milionë lekë, ndërsa ajo e apartamentit të Malin e Robit në 45.700 euro. Gjatë këtij viti Doda deklaron se ka tërhequr rreth 9 mijë euro nga llogaritë e saj bankare.


Në vitin 2008 Doda lidh një kontratë me një kompani për ndërtimin e një vile në zonën e quajtur "Kodra e Diellit" me vlerë 238 mijë euro. Për shlyerjen e këstit të parë të kësaj kontrate ajo i ka paguar kompanisë 30 mijë euro. Edhe për këtë vit ajo ka pasqyruar të ardhurat nga puna e bashkëshortit me vlerë rreth 44 mijë euro.


Gjatë këtij viti Doda ka vazhduar së shlyeri kreditë për shtëpinë në Tiranë dhe në Golem. Kredia e së parës ka zbritur në 3.6 milionë lekë ndërsa e së dytës në 37 mijë euro.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›