E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE rrëzon ÇEZ për humbjet e energjisë

Kompania çeke ka paraqitur një raport ku pretendohet se niveli i humbjeve është më i lartë se sa deklarohet


TIRANË- Enti Rregullator i Energjisë ka refuzuar raportin e pronarëve të rinj të OST-së, të cilët pretendojnë se niveli i humbjeve në KESH është më i lartë se sa pretendohet. Çekët e ÇEZ kanë paraqitur një raport në lidhje me nivelin e humbjeve dhe sipas tyre ai është diçka më i lartë se sa 35%. Por verifikimi i ERE-s tregon se niveli i humbjeve është 32%.


"Bazuar në "Raportin e Auditit të Humbjeve" të OSSH sh.a, për vitin 2008, dokumentet mbështetëse të paraqitura, si dhe në deklarimet gjatë seancës dëgjimore, nuk vërteton nivelin e pretenduar prej tij për humbjet e përgjithshme në sistemin e shpërndarjes për vitin 2008. Për gjithë sa më sipër Bordi i Komisionarëve të ERE-s, vendosi të mos miratojë "Raportin e Auditit të Humbjeve" te OSSH për vitin 2008", - citohet në vendim.


Niveli i humbjeve të energjisë është i rëndësishëm, pasi nëse rezultonte më i lartë do të ndikonte drejtpërsëdrejti në vendimmarrjen për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët. Në një prononcim për "Shekullin" një ditë pas publikimit të këtij raporti nga OSSH, kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, theksoi se një nivel më i lartë humbjesh do të përkthehej në çmime më të larta të energjisë elektrike.


"Në bazë të marrëveshjes midis kompanisë CEZ dhe qeverisë shqiptare për shitjen e OSSH-së, kjo e fundit ka të drejtë që të bëjë nga ana e saj audit për të parë nivelin e humbjeve. Sa më i lartë që të jetë ai, aq më i lartë del dhe çmimi i energjisë elektrike. Në vendimin që ne do të marrim në lidhje me nivelin e humbjeve, ajo do të përfshihet direkt pastaj në këtë procedurën e rritjes së çmimit", - tha ai.


Sipas auditit të bërë nga kompania e kontraktuar nga OSSH, shkaqet e humbjeve të energjisë ishin të shumta duke filluar nga problemet në faturim, mospagesat, vjedhja, etj. "Sistemi nuk mund të bëjë dallimin mes konsumatorëve me të njëjtin emër dhe mbiemër. Po ashtu, ekzistojnë konsumatorë, të cilët gjenden disa herë në sistemin e faturimit për arsye të gabimeve në vendosjen e emrit gjatë regjistrimit të informacionit në sistem", - citohej ndër të tjera në këtë raport.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›