Berisha, Basha, Vlora ju do
Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po bën kujdes që në dekorin e kësaj fushate, emri i tij të jetë krah emrit të kryetarit në detyrë, Sali Berisha.
Pas banderolave në Tropojë, ku Basha krahasohej me Berishën dhe Azem Hajdarin, edhe në Vlorë janë shfaqur të tilla banderola, ku Berisha dhe Basha njësohen.
Berisha, Basha, Vlora ju do, lexohej në banderolën kryesore.
Ndërsa vetë Basha deklaroi përpara demokratëve vlonjatë se do jetë anëtarësia që do marrë vendime të rëndësishme.
Mijëra mesazhe nga themelues qëndrestarë dhe anëtarë të rinj të PD ma kanë mbushur zemrën që sot me optimizëm, jo vetëm sepse kanë mirëpritur projektin tim por sepse që sot kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bërë gjithçka që Partia Demokratike të kthehet një orë e më parë në drejtimin e ëndrrës tonë evropiane. Dua tju them sot nga Vlora, se në statutin e ri të PD, ne do ta lartësojmë anëtarësinë dhe bazën e PD, në një piedestal të ri statutor. Kjo nënkupton vendosjen me votë të çdo procesi, nga emërimet dhe përzgjedhjet e kryetarëve bazë të seksioneve, grup-seksioneve, degëve e deri tek përzgjedhja e më të mirëve mes nesh, për tu përballur në betejat tona politike, lokale dhe qendrore, tha Basha.
Si partia që jep garanci që zëri i çdo anëtari të dëgjohet, që kontributi i çdo anëtari ndër vite e deri më sot, të përkthehet në meritë transparente para anëtarësisë, jemi gati të nisim që sot luftën opozitare më të paepur por dhe rrugëtimin tonë më të vendosur, drejt rikthimit si mazhorancë zyrtare në Shqipëri./ep