Mos e kruani me zyrtarin e qeverisë (VIDEO)
Policia në Dubai ka arrestuar një person që filmoi një incident ku një zyrtar i qeverisë shihet duke rrahur një shofer fugoni nga India.
Sipas BBC, personi është arrestuar pasi akuzohet se ka shpërndarë në internet videon dhe rrezikon deri në dy vjet e gjysmë burg. Ai akuzohet se ka cenuar privacinë e zyrtarit dhe ka regjistruar pa leje.
Edhe zyrtari që rrahu shoferin është arrestuar.
Viktima e sulmit nuk ka ngritur padi.
Në video shihet zyrtari duke hequr agal-in, rripin që mban në kokë, me të cilin godet më pas shoferin.
Zyrtari thotë se shoferi i fugonit i kishte goditur fuoristradën e tij Lexus dhe nuk kishte ndaluar, por ishte larguar.
Shoferi nis të qajë kur goditet.
Video ka shkaktuar shumë zemërim brenda dhe jashtë Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shumë njerëz thonë se veprimet e zyrtarit janë të turpshme.
Megjithatë policia e prokuroria thonë se gjithkush është i barabartë përpara ligjit.
Sipas kodit penal, zyrtari mund të dënohet deri në një vit burg dhe 10 mijë dirham gjobë./ep