E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Basha dhe Nishani urojnë muajin e shenjtë të Ramazanit

09-07-2013 / Gazeta 55

Sot të gjithë besimtarët muslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit. Me këtë rast, Presidenti Nishani ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë Ramazan të lehtë. Në një mesazh drejtuar besimtarëve, kreu i shtetit thekson se Ramazani është një akt i lartë religjioz dhe human me përmasa kolosale. “Ju përshëndes me shumë dashuri dhe respekt sot në ditën e parë të Ramazanit. Ramazani ndërthur shenjtërisht sakrificën materiale me lartësimin shpirtëror. Duke qenë gjithëpërfshirës dhe universal, efektet dhe dobitë e Ramazanit, paqja, purifikimi, lartësimi, mbarëvajtja, janë të shkrira brenda Tij në një mënyrë harmonike të përsosur brenda një diapazoni mahnitës, që përfshin gjithçka njerëzore, nga aspekti shpirtëror në atë utilitar, nga secili besimtar veç e veç, tek i gjithë komuniteti bashkarisht”- thekson kreu i shtetit.
Sipas tij, Ramazani përcjell një sërë mesazhesh për njerëzit prandaj dhe ai prej shekujsh zbatohet dhe nderohet me aq devocion dhe përpikmëri nga Ju dhe besimtarët myslimanë të mbarë botës. “Mesazhet që përcjell riti i Ramazanit janë nga më madhështoret. Kthimi i vështrimit nga vetja. Uria dhe etja, dhe në përgjithësi vuajtjet materiale, janë vuajtje provizore që shpërblehen. Vazhdimi i ekzistencës bëhet vetëm përmes mbajtjes gjallë të shpresës,e cila, nga ana e vet, ushqehet nga dhimbjet e sakrificës. Ndjenja e mëshirës dhe dashurisë për të gjithë njerëzit njëlloj. Largimi i brengave. Harrimi i kujtimeve të hidhura. Ramazan të lehtë të gjithëve”- është shprehur Presidenti.

Kryeministri Berisha
“Të dashur miq, sot fillon muaji i madhnushem i agjërimit, ne te cilin besimtarët sakrifikojnë me qëllim pastrimin e shpirtit për besimin tek Zoti dhe vlerat më të larta njerëzore dhe hyjnore. Me këtë rast unë uroj të gjithë besimtarët myslimanë që këto ditë përvëluese dhe netë të nxehta të agjerojnë që sakrifica e tyre të pranohet nga krijuesi i gjithësisë dhe të sjellë paqe, të mira e mbarësi në familjet e tyre si dhe për mbarë shqiptarët. Uroj që Zoti t’i përkëdhelë Shqipërinë dhe shqiptarët me mëshirën dhe dashurinë e tij!”- thuhet në mesazhin e urimit të kryeministrit Sali Berisha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha
Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u ka uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar, të gjithë besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Në urimin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë, kryebashkiaku Basha thekson se muaji i shenjtë i Ramazanit duhet të shërbejë për forcimin e dashurisë mes njerëzve. “Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj në këtë muaj të shenjtë, agjërim të lehtë dhe të pranuar, lumturi paqe dhe harmoni në çdo familje shqiptare! Uroj që sakrifica fisnike dhe hyjnore e këtij muaji, të shndërrohet në dritë dhe mbarësi për të gjithë agjëruesit, familjet dhe vendin tonë! Ramazani është muaji që kultivon paqen, mirëkuptimin e respektin, ndaj uroj që ky muaj i shenjtë i Ramazanit, të shërbejë për rritjen dhe forcimin e solidaritetit e të dashurisë ndërmjet njerëzve!”- thekson Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›