Berisha: Bashkëpunimi ndërkombëtar, vital për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti dje në një takim Lordin Richard Best, President i Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC). Duke i uruar mirëseardhjen Lordit britanik Richard Best, Kryeministri Berisha vlerësoi se bashkëpunimi ndërkombëtar është vital për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Ne, - u shpreh Kryeministri, - kemi interes që institucionet tona të kenë një dimension sa më të gjerë të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar, si për institucionet publike ashtu dhe për ato private. Kryeministri Berisha theksoi, gjithashtu, se krahas rritjes së numrit të pranimit të studentëve në universitete, tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar tek cilësia dhe kërkimi shkencor, pasi nuk mund të ketë të ardhme të arsimit të lartë pa nxitur kërkimin në institucionet tona.
Më tej, Kryeministri tha se qeveria ka vendosur partneritet ndërmjet arsimit të lartë publik dhe atij privat, si dhe inkurajon konkurrencën midis institucioneve. “Modeli i ri financiar, i cili do të zbatohet së shpejti, do të jetë një nxitje e mëtejshme për cilësinë, ku bashkëpunimi ndërkombëtar do të jetë edhe një nga treguesit e saj”, vijoi Kryeministri. Lordin Richard Best e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu kënaqësinë që studentët shqiptarë janë nga studentët më të mirë që studiojnë në Universitetin e Sheffield-it. Ai tha se Universiteti i Sheffield-it ka 69 Universitete në mbarë botën dhe vetëm në Angli janë 4 Fakultete me dimension ndërkombëtar. Lordi Richard Best vlerësoi partneritetin e vendosur me Universitetin Amerikan të Tiranës në tre fusha kryesore dhe shprehu besimin se ky partneritet do të vijë gjithnjë e duke u zhvilluar. Vëmendje të veçantë ai i kushtoi edhe marrëveshjes me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për të zhvilluar aktivitete të përbashkëta.