E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Bashkëpunimi, substancial për aspirantët e BE-së

Kryeministri Sali Berisha e vlerëson bashkëpunimin rajonal si substancial për të gjitha ato vende që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
Kryeministri shqiptar është i pranishëm në konferencën e nivelit të lartë me krerët e Ballkanit Perëndimor "Bashkë për Bashkimin Evropian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e Evropës", që po mbahet në Brno të Sllovenisë

Në ceremonialin e organizuar nga qeveria sllovene dhe ajo kroate, si dy mikpritësit e konferencës, pjesëmarrësit u prononcuan për mediat që po ndjekin punimet e saj.

Kryeministri Berisha, në prononcimin e tij, e konsideroi zhvillimin e kësaj konference shumë të rëndësishme, pasi "bashkëpunimi rajonal është padyshim substancial për të gjithë ne që aspirojmë integrimin në BE". Shqipëria, u shpreh Kryeministri Berisha, i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal, dëshmi e një transformimi të thellë dhe një përpjekje shumë serioze.

Kryeministri Berisha vlerësoi praninë e kryeministrit kosovar Thaçi në këtë konferencë, duke theksuar se Kosova gjithnjë e më shumë po konsolidohet si faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe natyrisht, prania e saj këtu, është kontribut në problemet e paqes dhe sigurisë së rajonit.

Gjithashtu, ai shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e zotit Tadiç në konferencë, duke theksuar se vendi i tij është aty.

Kryeministri Berisha pritet të mbajë një fjalë në konferencë, ku do të përqëndrohet në ecurinë e procesit të integrimit Europian të Shqipërisë, përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit europian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe do të shprehë angazhimin e qeverisë shqiptare për konsolidimin e standardeve europiane dhe vullnetin për një bashkëpunim të ngushtë me vendet e rajonit në përpjekjet e përbashkëta për integrim evropian.

Në përfundim të konferencës, do të dilet me një deklaratë të përbashkët rajonale, e cila do të paraprije Takimin Ministerial që do të zhvillohet nën Presidencën spanjolle të BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›