E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Bashkimi i të gjithë shqiptarëve do ndodhë nën ombrellën e Perëndimit

17-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, ka theksuar se ëndrra e shqiptarëve për bashkim s’është e pamundur, porse ajo do të ndodhë si pjesë e integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian
Berisha: “Edi Rama kundër Rrugës së Kombit sepse mendonte se ajo do të dëmtonte portet greke”

Kryeministri Berisha mikpriti dje, në kryeministri, një grup studentësh të Fakultetit të Edukimit në Gjilan, pjesë e Universitetit të Prishtinës, të kryesuar nga pedagogu Et’hem Çeku. Gjatë këtij takimi, cili u zhvillua në formën e bashkëbisedimit, Kryeministri pati kënaqësinë të dëgjonte mendimet e studentëve dhe t’u përgjigjej pyetjeve të tyre për çështje të ndryshme që lidhen me integrimin europian, unifikimin e standardeve e praktikave midis Shqipërisë e Kosovës, çështje të arsimit dhe probleme të ndryshme të zhvillimit. 
Në Kushtetutën e Shqipërisë, sa mbrohen shqiptarët si komb në tërësi dhe jashtë kufijve të saj, si për shembull në Luginën e Preshevës?
Shqiptarët, në tërësi, sot kanë mbrojtje të lirive e të drejtave të tyre kushtetuese në Shqipëri, në Kosovë. Ata kanë një ridimensionim të vërtetë të lirive e të të drejtave të tyre në Maqedoni, pas Marrëveshjes së Ohrit. Ata kanë avancim të madh të lirive e të drejtave të tyre në Mal të Zi, pas një koordinimi të forcave politike shqiptare me autoritetet vendore. Shqiptarët në Preshevë, për sa u përket lirive e të drejtave të tyre, janë absolutisht në epiqendër të vëmendjes të Shqipërisë e të Kosovës, por në mënyrë të veçantë të Shqipërisë. Ne ndjekim me shumë interes zhvillimet në Luginë, bëjmë përpjekje dhe në bisedat me autoritetet serbe, në bisedat midis Tiranës e Beogradit, problemet e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës janë gjithnjë në rendin e ditës. Ish Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme zoti Meta, në vizitën e tij zyrtare, e cila ka qenë edhe vizita më e rëndësishme zyrtare e shkëmbyer midis dy vendeve, bëri një vizitë edhe në Preshevë. Ndërkohë ne kemi marrëdhënie direkte me autoritetet vendore të Preshevës, për sa i përket shkollimit.

Çka mendoni ju sa ka bërë Republika e Shqipërisë në ngritjen e institucioneve gjithëkombëtare e gjithëpërfshirëse dhe këtu mendoj për një Akademi mbarëkombëtare, programe shkollore të përbashkëta, për të cilat mendoj se janë faktorë që thyejnë barrierat që, fatkeqësisht, janë të pranishme brenda hapësirës shqiptare?
Shqetësim shumë i drejtë. Duhet bërë shumë më tepër. Realitet janë gjithnjë për t’u vlerësuar siç janë. E vërteta është se ndarja pothuaj një shekullore e kombit tonë, të copëtuar në mënyrën më të padrejtë, ka pasur pasojat e veta direkte në zhvillimet në këto troje e këto vende. Është në detyrimin më të madh të autoriteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë e kudo që të bëjnë çdo përpjekje për kapërcimin e këtyre pasojave, për unifikimin e standardeve e të praktikave në tërësi në fushën e edukimit, të kulturës dhe në të gjitha fushat e tjera. Koncepti im është një komb me dy administrata. Po bëhen hapa në këtë drejtim dhe më të shpejta duhet të jenë. Po punohet shumë në drejtim të lidhjeve infrastrukturore, energjetike që janë jetike, por janë jo një e dy, por me mijëra proceset, praktikat, standardet, për të cilat ne duhet të punojmë me përkushtim të madh t’i unifikojmë ato. Shqiptarët kudo që janë duhet të ndjehen njëlloj në Tiranë, Prishtinë apo kudo tjetër.

Një projekt madhor që e keni filluar dhe që po vazhdon më tej, rruga e kombit, duke shpresuar që një pjesë e saj të shkojë tek ne, në atë skaj, se ne e konsiderojmë veten si pjesë të Shqipërisë. Para disa ditësh, ishte për vizitë në Kosovë kryesocialisti Rama dhe deklaroi se nuk kishte asgjë kundër autostradës. Cili është opinioni juaj për këtë? Ju falënderoj për mikpritjen që na keni bërë këtu, në kryeministri?
Lidhur me rrugë e kombit, zoti Rama, të paktën, me qindra herën është ngritur kundër saj dhe unë dua t’ju them se rruga e kombit është kundërshtuar në mënyrën më të egër nga lobe antishqiptare dhe së pari, nga jashtë Shqipërisë, të huaj, së dyti, ka pasur mbështetje edhe brenda vendit. Përse u kundërshtua? Përse kishte një armiqësi të madhe ndaj saj? Eksponentë me një formimi politik arkaik e konsideronin rrugën e kombit, së pari, si një rrugë që do bashkonte shqiptaret dhe sipas tyre, shqiptarët nuk duhet të bashkoheshin. Së dyti, në rrafshin gjeopolitik, në një vështrim historik të së shkuarës së largët e jo fort të largët, ka ekzistuar gjithnjë një rivalitet midis portit të Durrësit dhe atij të Selanikut, kur është zhvilluar njëri, ka rënë tjetri. Këto individë e grupe mendonin se Rruga e Kombit do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit. Pikëpamja jonë dhe e vërteta është se këto grupe bënë gjithçka për ta penguar ndërtimin e saj. Por nuk mund ta pengonin, sepse ajo ishte një vepër publike që ndërtohej në territorin e Shqipërisë dhe Shqipëria është një vend sovran dhe vendimet e mëdha i merr vetë, më mënyrën më të qartë. Kështu që, pas një beteje shumë të vendosur me këto grupe, të cilët ishin të vendosur në institucione të ndryshme ndërkombëtare e jo ndërkombëtare, por që kishin arritur ta bllokonin, filluan sapo u kontraktua, grupe në Shqipëri, me një egërsi të paimagjinueshme...
… Dhe kreu i Partisë Socialiste, me disa të tjera segmente këtu, e kryesoi këtë procesion, por nuk e penguan dot, se rruga u ndërtua. Ajo rrugë u ndërtua në trajektoren më të shkurtër të saj. Natyrisht, kjo ishte trajektorja më e kushtueshme e saj. A ka të drejtë zoti Rama të rishqyrtojë qëndrimin e tij? Po, ka të drejtë. Çdo njeri ka të drejtë të rishqyrtojë gabimet e veta, errare humanum est - të gabosh njerëzore është, por të pretendosh se nuk ke qenë kundër rrugës, në një mënyrë akuzon veten tënde, sepse shqiptarët kanë një memorie të kthjellët. Ne jemi komb me memorie, si çdo komb tjetër.

Duke ditur rëndësinë e madhe që ka për secilin shtet hyrja në BE, rastin më të freskët kemi Kroacinë, që është konfirmuar se do të hyjë në vitin 2013 dhe ne si shqiptarë jemi të interesuar të kemi shtetin tonë atje, kur mendoni se Shqipëria do të hyjë në BE dhe mendoni se hyrja e saj në BE do të mundësojë që edhe Kosova të hyjë për një periudhë më të shkurtër në BE?
Së pari, hyrja e Kroacisë në Bashkimin Europian është një ngjarje shumë pozitive për kombin mik kroat dhe për të gjithë rajonin. Çka do të thotë se dyert e Bashkimit Europian janë të hapura dhe se ky proces do të realizohet mbi bazën e meritës. Procesi i anëtarësimit në BE është një proces që kalon nëpërmjet përmbushjes së kritereve, standardeve dhe praktikave që janë të përbashkëta për vendet anëtare. Të gjitha këto synojnë tre gjëra: që qytetarët të bëhen më të lirë; qytetarët të bëhen më të sigurt; qytetarët të bëhen më të mëkëmbur. Ndaj ky është projekti që garanton të ardhmen më të shkëlqyer për shqiptarët. Shqiptarët e mbështesin atë më shumë se çdo komb tjetër.
Qeveria po punon me intensitet të madh për përmbushjen e këtij universi standardesh, reformash, praktikash... Natyrisht, procesi integrues i Shqipërisë ka rëndësi edhe për Kosovën edhe për rajonin dhe, në këtë drejtim, bashkëpunimi ekziston dhe do të jetë gjithnjë e më intensiv. Shqiptarët e kanë të ardhmen më të shkëlqyer në Bashkimin Evropian.

Cili është raporti juaj me shtetet fqinje që janë anëtare të BE-së dhe a e respektojnë ata sovranitetin e shtetit shqiptar?
Vendet anëtare të BE-së që kemi përreth ishin 3, tani janë 4 në rajon, Greqia, Italia, Slloveni dhe fatmirësisht, së fundi, edhe Kroacia. Marrëdhëniet bilaterale me to janë shumë të mira. Aktualisht, Greqia është në një krizë të thellë të lidhur me euron dhe borxhet, krizë, të cilën ne urojmë dhe dëshirojmë ta kapërcejnë sa më shpejt. Kurrë ndonjëherë, po pati dhimbje te fqinji, nuk mund të ndihesh mirë as ti. Për më tepër, të jem i sinqertë që, nga situata ekonomike në Greqi, e cila duket se ka pasur disa tejkalime, pas grekëve, shqiptarët janë atë që kanë përfituar më shumë, pasi kemi pasur emigracionin më të madh. Në vizitën time në Athinë, më duhet t’u them se u njoha me faktin se aty ka mbi 100 mijë apartamente të blera nga shqiptarët dhe një numër shumë të madh të bizneseve të vogla që kontrolloheshin nga shqiptarët.
Italia është një vend mik i cili ka dëshmuar këto 20 vjet solidaritetin më të lartë ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Kosovës. Nuk duhet të harrojmë se sulmet ajrore të Aleancës mbi regjimin e Millosheviçit, bazat kryesore i kanë pasur në Aviano dhe në territorin e Italisë dhe në ato momente, kur kishte edhe atje forca politike që kundërshtonin (njëri prej tyre thoshte se nuk duhet ta bombardojmë Milosheviçin se forcohet Berisha, marrëzi të marksizëm- leninizmit të tyre), Silvio Berluskoni, që ishte në opozitë, ka votuar Masimo D’Alemën, të cilin donin ta rrëzonin dhe e ka mbajtur në pushtet, e ka bërë këtë në mënyrë që Italia të përmbushë detyrimet e saj ndaj NATO-s. Pra, marrëdhëniet me këto vende janë shumë të mira. Janë shumë të mira me Slloveninë, janë shumë të mira me Kroacinë. Natyrisht, midis fqinjëve gjithmonë ka probleme, por e rëndësishme është fryma e hapur me të cilën i trajton problemet. Po marrim Greqinë, nuk është se nuk ekzistojnë problemet, por ato probleme trajtohen nga të dy palët në mënyrën më të hapur.

Na intereson të dimë raportin e shtetit shqiptar në sferën ekonomike me Kosovë, duke ditur se Shqipëria është një vend shumë i pasur në fushën hidrike, Kosova është një nga vendet më të pasura në Europë në fushën e ligniteve. Duke parë se Europa ka telashe me zhvillimin ekonomik, me energjinë, a mund të kemi një program të përbashkët ekonomik në fushën e energjisë, duke parë se ky treg është shumë i madh në Europën Juglindore?
Mendoj se fusha e energjisë është një fushë parësore për të gjitha qeveritë dhe vendet. Është fat i madh që Shqipëria e Kosova janë vende me potenciale të mëdha energjetike. Kosova, me lignitet e saj, mund të shndërrohet në një prodhues kryesor energjetik në rajon, Shqipëria me ujërat e saj, mund të shndërrohet dhe ka ambicie të shndërrohet në një prodhues kryesor të energjisë së rinovueshme në rajon. Ne kemi për të ndërtuar 443 hidrocentraleve, kemi firmosur me sektorin privat ndërtimin e 300 prej tyre, 73 janë në ndërtimi e sipër, kanë përfunduar procedurat ose janë në ndërtim e sipër. Ka projekte ndër më të mëdhatë në Europë, siç është Kaskada e Devollit. Këto kohë është në treg Kaskada e Vjosës. Lumenjtë në Shqipëri nuk janë të mëdhenj, por të marrë së bashku, bëjnë pothuajse Danubin në ujëra. Ata janë shumë të përshtatshëm për energjinë e pikut, energjia më e kushtueshme, ndaj dhe ka një interes shumë të madh në ndërtimin e tyre.
Kosova po përpiqet të ndërtojë termocentrale të reja dhe kjo është shumë e domosdoshme. Është jetike që Shqipëria dhe Kosova të vendosin në një komandë unike sistemet e tyre energjetike. Kjo komandë nuk ekziston sot akoma, por me ndërtimin e Linjës së re 420 KV, Tiranë – Prishtinë, e cila fillon muajt e ardhshëm ndërtimin, pasi është siguruar financimi nga të dy qeveritë, nga Banka gjermane për Zhvillim, mundësia e vendosjes në një komandë të vetme të sistemeve energjetike bëhet reale. Në këtë mënyrë, secili vend do të mund të kursejë së paku 15 për qind të energjisë që prodhon, ku Shqipëria me ujërat e saj, të furnizojë në pikun, në kulmin e shpenzimit të energjisë, Kosova me termocentralet të furnizojë natën. Pra, ekziston kjo leverdi shumë e madhe e bashkëpunimit në fushën e energjisë. 

A mund të kemi një administratë të përbashkët Kosovë - Shqipëri?
Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura, dy motra dhe, natyrisht, do të kenë dy administrata. Në projektin e bashkimit kombëtar, një projekt për të cilin shqiptarët kanë luftuar një shekull, sot unë mendoj se interesi më i mirë kombëtar i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Përse e them këtë? Ne jemi një komb dhe jemi ndarë në mënyrën më të padrejtë. Ajo përbën një nga padrejtësitë më të mëdha historike. Copëtimi i shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha, në fillim të shekullit të kaluar, është një nga aktet më të padrejta që është bërë, por që fatmirësisht, u korrigjua me mbështetjen që i bënë çlirimit të Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës së Hagës, e cila duke legjitimuar pavarësinë e Kosovës dhe duke e përputhur atë me të drejtën ndërkombëtare, de facto hodhi poshtë të gjitha Traktatet që ndanë e copëtuan shqiptarët.
Por, përse atëherë shqiptarët duhet të jenë të interesuar për këta kufij ekzistues? Ne jemi një komb që 130 vitet e fundit dhe më gjatë, na kanë grabitur territore shumë të mëdha (në histori gjërat duket t’i themi siç janë) dhe ato nuk janë më të shqiptarëve. Toka u takon të gjallëve, ata të gjallë që janë aty nuk janë më shqiptarë. Janë kombe të tjera. Ne nuk duhet të tentojmë asgjë e cila mund të cenojë territore shqiptare. Ruajtja e territoreve është interesi vital kombëtar, më i madhi. Në një rivizatim të kufijve, është e sigurt që shqiptarët do të humbasin sërish territore dhe kjo do të ishte e pafalshme. Ndaj, duhet të ecim drejt proceseve integruese evropiane, të lirë, duhet të bëjmë gjithçka të unifikojmë çdo gjë, por administratën nuk mundemi. Kur themi një komb me dy administrata, do të thotë të mos ketë barriera të tjera.
Duhet të jemi shumë optimistë, sepse ne kemi pasur një nga historitë më të dhimbshme në Europë, por, me çlirimin e Kosovës dhe me Pavarësinë e Kosovës, ne kurorëzojmë absolutisht një nga historitë më të suksesshme të kombeve evropiane. Në histori nuk mund të kesh vetëm lavdi, por ke edhe rënie edhe lavdi, e tillë është historia. Por pavarësia e Kosovës kurorëzon në mënyrën më të shkëlqyer, përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Imagjinoni që ata që na copëtuan në vitet ‘12, pranuan një pavarësi në ¼ e territoreve shqiptare. Ata e morën këtë vendim të bindur se në territore të tjera nuk do të ketë më shqiptarë, pas një shekulli dhe u gabuan. Pas një shekulli është një Kosovë e pavarur dhe faktikisht, Pavarësia e Kosovës finalizoi Pavarësinë e Shqipërisë, sepse ajo ishte një gjysmë pavarësi, sepse ishte pavarësi vetëm në një pjesë të territorit.
Kështu që, unë jam i bindur se ne kemi shumë arsye për të parë me një optimizëm shumë të madh të ardhmen tonë. Unë isha në 12 nëntor  në Kosovë për të inauguruar rrugën e Kombit. U emocionova shumë. Kosova, në një hark kohor 3 vjeçar e pavarur, ndërton 40 km autostradë të parametrave më të mirë që ekzistojnë. Po sjell një shembull: Shqipëria doli nga diktatura në një gjendje të sfilitur dhe, në 4 vitet e para, gjithçka arritëm të ndërtojmë ishte një autostradë 6 km, nga Tirana te Ura e Limuthit. E dhashë këtë shembull për të treguar se përse duhet të jemi optimistë. Ne jemi vende në zhvillim, do kalojmë në stadin e kombeve dhe vendeve të zhvilluara dhe ndaj atyre që vijnë, ne i kemi bërë detyrat tona. Ata pastaj le të bëjnë detyrat e tyre. Çdo kohë ka detyrat e veta.

A e parashihni në një të ardhme të afërt bashkimin e këtyre dy shteteve, të Shqipërisë dhe Kosovës, apo do të ekzistojnë gjithmonë mes nesh kufij?
Projekti i bashkimit të shqiptarëve është projekti i integrimit në BE dhe ju garantoj se, kur shqiptarët në Shqipëri e Kosovë të kenë realizuar ato standarde që kërkohen për të qenë anëtarë të BE-së, do të jenë më mirë se kurrë në historinë e tyre dhe me arritje më të mëdha. Pra, ky është projekti dhe ne duhet ta shohim të ardhmen tonë në BE. E theksova edhe njëherë, se përse është interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij. Interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij është sepse shqiptarët nuk duhet të pranojnë, në asnjë rast e në asnjë rrethanë tjetër, të humbasin qoftë dhe një metër katror tokë të tyre. Në rast se shqiptarët, të supozojmë për një moment se do të kërkonin ndryshimin e këtyre kufijve, në një rivizatim tjetër, unë ju garantoj se do shënonte humbje të pamerituar të territoreve shqiptare. Nuk duhet të harrojmë se këto territore, në një të shkuar absolutisht jo të largët, janë shtrirë nga kufiri me Bullgarinë deri në Novi Pazar e më thellë. Sot nuk janë më ata kufij, ndaj edhe në qëndrimin tonë ne duhet të jemi të durueshëm. Jemi të lirë, por ne nuk duhet të marrin asnjë lloj veprimi, i cili kërcënon humbje territoresh. Ky është qëndrimi im. E theksova se çdo brez bën detyrat e tij. Ky brez i ka bërë ato, sepse e nënvizoj edhe njëherë se nuk ka ndonjë mrekulli më të madhe në historinë tonë që nga koha e Skënderbeut, sesa çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Ajo ka qenë një arritje e jashtëzakonshme, sepse ishte një arritje në kundër-rrymë. Shqiptarët e arritën, sepse ndoqën dhe organizuan një qëndresë të pashembullt paqësore dhe më pas, luftarake dhe bënë miq të mëdhenj për vete, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zoti Kryeministër, ju falënderoj në emër të të gjithë studentëve për mikpritjen…
Edhe unë ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe ju siguroj se kam respektin më të madh për Universitetin e Prishtinës, kam mirënjohjen më të thellë ndaj studenteve e studentëve, pedagogëve e pedagogeve të këtij universiteti, për rolin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë luajtur në historinë e Kosovës e të kombit në tërësi. Kam pas rastin të nderohem nga universiteti me “Doctor honoris causa” dhe e kam theksuar dhe e theksoj se për vite të tëra, kur flakët e lirisë në Shqipëri e Kosovë ishin pothuaj të shuara, ato u mbajtën gjallë në Universitetin e Prishtinës. Ky universitet u shndërrua në një kështjellë të vërtetë të shqiptarëve për liri e dinjitet. Ishte ky Universitet, këta studentë e pedagogë, të cilët hodhën kushtrimin Kosova Republikë, u përballën me tanke e shtypjen më të egër dhe sot është ky Universitet që, me dijet, me studimet, me kërkimet shkencore, me kuadrot që përgatit, po projekton të ardhmen e ndritur që meriton Kosova. Edhe një herë ju uroj të gjithëve, shoqet e shokët tuja në universitet, pedagogët e pedagoget, prindërit tuaj Krishtlindje dhe Vit të Ri të gëzuar dhe vitin tjetër ta festojmë të gjithë më mirë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›