E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bëjmë realitet ëndrrat! Lacivita: Qytetarët të votojnë për ekonominë e të ardhmen e tyre

Kryetari i PD Sali Berisha, së bashku me strategun e fushatës elektorale Chris LaCivita, bisedoi me të rinjtë e PD për rolin e tyre në këtë betejë zgjedhore.

“Shqipërisë sot i duhen misionarë. Në situatën në të cilën ajo ndodhet, atë e shpëtojnë vetëm misionarët. Kështu që, ju siguroj se programi i PD dhe aleatëve do të jetë një program që synon të bëjë realitet ëndrrat tuaja”, tha Berisha.

Chris LaCivita përsëriti se ai nuk është përfaqësues i qeverisë amerikane, por ka ardhur në Tiranë si një person privat. Por ai theksoi se ka ngjashmëri mes fushatës së presidentit Trump vitin e kaluar dhe situatës në Shqipëri.

“Unë nuk flas në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Sigurisht që kam shumë miq atje, sepse punoj shumë ngushtë me fushatën. Por mendoj se mjafton të themi që ekziston një kuptim i qartë i situatës politike dhe korrupsionit që ekziston këtu. Siç e përmenda edhe mbrëmë, shumë nga gjërat që administrata Biden ka tentuar të bëjë gjatë katër viteve të fundit për të futur Donald Trump në burg, duke përfshirë edhe bastisjen e shtëpisë së tij, janë gjëra që nuk kishin ndodhur më parë. Dhe ngjashmëritë mes asaj që po përpiqen t’u bëjnë konservatorëve këtu, dhe asaj që ata bënë në Shtetet e Bashkuara, janë jashtëzakonisht të ngjashme. Dhe kjo ndodh sepse ata nuk janë në gjendje të mbrojnë bilancin e tyre. Nuk janë në gjendje të mbrojnë gjendjen e ekonomisë.”, tha LaCivita.

Strategu i fushatës së PD theksoi se ekonomia është çështja për të cilën vendoset më 11 maj.

“E gjithë kjo fushatë ka të bëjë me çështjen më të rëndësishme: ekonominë dhe të ardhmen. Dhe ju djem, e keni plotësisht në dorë ta ndryshoni të ardhmen dhe drejtimin e këtij vendi. Por nuk mund ta bëni këtë nëse nuk ngriheni. Ka një shprehje të vjetër në Amerikë: ‘Bota drejtohet nga ata që ngrihen.’”

Nga ana tjetër, Berisha shfrytëzoi takimin me të rinjtë për t’i kujtuar rivalit politik Rama çështjen McGonigal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›