E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Berati do jete nje nga nyjet me te rendesishme te transportit

Kryeministri Berisha përshëndeti sot tubimin me qytetarë të Beratit, ku u prezantua kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti Ilir Deçolli.

Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen për çdo projekt zhvillimor për qytetin e Beratit dhe qarkun e Beratit. “Na përket neve tani, të rindërtojmë e ndërtojmë këtë qytet në parametrat më modern, na përket neve ta shndërrojmë Beratin në një nga polet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, në një nga qendrat më të fuqishme të prodhimit industrial e bujqësor, në një qendër të fuqishme të jetës akademike të vendit.”

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se “ kam kënaqësinë time që paraqes sot, para jush, për qytetar të parë të Beratit një nga djemtë më të përkushtuar, një humanist të vërtetë, një qytetar shembullor të qytetit tuaj, zotin Ilir Deçolli, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Beratit, si dhe t’ju garantoj se me Ilir Deçollin, në 4 vitet që vijnë do ta shndërrojmë Beratin në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Beratin, këtë margaritar në kurorën e bukurive të këtij vendi, këtë margaritar të vërtetë në kurorën e trashëgimeve të mëdha të këtij vendi, ne do ta bëjmë të njohur në mbarë botën. Sëbashku, me dashurinë tonë për Beratin, me përkushtim të madh ia dolëm që qyteti juaj të vendoset midis qyteteve dhe trashëgimive botërore më të rëndësishme. Na përket neve tani, të rindërtojmë e ndërtojmë këtë qytet në parametrat më modern, na përket neve ta shndërrojmë Beratin në një nga polet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, në një nga qendrat më të fuqishme të prodhimit industrial e bujqësor, në një qendër të fuqishme të jetës akademike të vendit. Gjatë viteve që shkuan, qeveria ka ndërtuar e rindërtuar në qarkun e Beratit 430 kilometra rrugë. Jam sot këtu, para jush, për t’u zotuar se 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë të gjitha rrugët e akset e këtij qarku. Në fund të muajit prill fillon rindërtimi i rrugës Lushnje-Berat, në fund të muajit prill fillon ndërtimi i segmentit të parë e më të rëndësishëm të Boshtit të Jugut Tiranë-Elbasan prej 430 milion dollarë, ka përfunduar projekti i segmentit Berat-Tepelenë, 32 kilometra me 320 milion dollarë, vazhdon ndërtimi i segmentit Belsh-Berat. Berati do të jetë një nga nyjet më të rëndësishme të transportit në vend. Gjatë 4 viteve, në këtë qark kemi ndërtuar e rindërtuar 45 shkolla, do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë të këtij rrethi, në çdo fshat, komunë të tij. Janë ndërtuar 18 sisteme ujësjellës-kanalizimesh, po investohen për ujësjellësin e furnizimin me 24 ujë të Beratit, Kuçovës e Urës Vajgurore edhe 14 milion euro të tjera, në energjinë elektrike janë investuar mbi 24 milion euro, për përmirësimin e furnizimit me energji”.

Kreu i qeverisë tha se “ për qeverinë, rëndësi parësore ka që të bëjmë të mundur që ju, qytetarët e fermerët e Beratit, ju, qytetarët e fermerët shqiptarë kudo që jeni të mund të ndërtoni jetën tuaj, të mund të mëkëmbeni gjithnjë e më shumë, të shkëputemi gjithnjë e më shumë nga varfëria, të ecin drejt prosperitetit. Në qarkun tuaj, gjatë 4 viteve që shkuan, qeveria ka subvencionuar 2000 hektarë, nga të cilat 1600 ullishte. Berati qëndron në krye të gjithë Shqipërisë për mbjelljen e drurëve frutorë dhe kanë përfituar nga kjo 5900 fermerë. Aplikuesit e përfituesit e granteve të qeverisë në ferma këtë vit kanë qenë 1800 fermerë, 700 hektarë, 2 herë më shumë se në vitin 2010. Dua të garantoj fermerët e Beratit se ne do të subvencionojmë çdo rrënjë ulli, arrë, qershie, lajthie, fiku e çdo dru frutor që do të mbillni. Ne rrugën tonë, ne nuk e kemi pasur të lehtë. Kjo rrugë ka qenë një rrugë me lodhje, me sakrifica, me mundime, por ka qenë një rrugë me dinjitet të madh, një rrugë me sukses të padiskutueshëm, një rrugë, në të cilën ne, burrat e gratë e Beratit e të mbarë Shqipërisë ia dolëm ta anëtarësojmë Beratin, ta anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, ia dolëm sëbashku që Beraitn e Shqipërinë ta shpallim këtë vit destinacionin kryesor turistik të botës, ia dolëm që ju, qytetarë të Beratit, qytetarë të Shqipërisë të lëvizni të lirë në mbarë Europën.
Kjo është alternativa, e cila ka në epiqendër secilin prej jush, interesat, djersën, mundin, vizionin tuaj, të fëmijëve tuaj, të familjeve e komuniteteve tuaja. Krahas saj, ekziston një alternativë tjetër, alternativë e rrugës së vetme. Po të ktheni kokën për një moment dhe të vështroni drejt rrugës së vetme, çfarë gjeni në atë rrugë? Nihilizma, sharje, mallkime rënkime, kjo është rruga e vetme. Ndaj dhe unë ju ftoj të mos merremi me disfatën e kalorësve të rrugës së vetme, të mos merremi me ata, të cilët kanë si politikë të vetme përbaltjen e kundërshtarit, sepse nuk kanë asnjë projekt, asnjë vizion, asgjë për t’u ofruar qytetarëve, sepse për ata rëndësi ka karrigia e pushteti i tyre. Por sëbashku ta shndërrojmë këtë muaj në muajin e ndërtimit, në muajin e skicimit të projekteve më të bukura për Beratin, për Shqipërinë. Le ta bëjmë këtë një dialog intensiv, në të cilin në epiqendër të jeni ju, djemtë e vajzat, burrat e gratë e Beratit, se Beratin ju e njihni më mirë se çdo ministër, se çdo kryeministër e se kushdo tjetër. Ju e keni sjellë Beratin në shekuj e mijëvjeçar, ju sollët këtë perlë të madhe të bukurive shqiptare, e vendosëm në UNESCO, e vendosëm në kurorën e pasurive botërore. Në mendjen e imagjinatën tuaj është Berati i bukurive të mëdha të ardhshme, Berati i ardhshëm, Berati juaj e i fëmijëve tuaj. Ndaj të mos merremi me dështimet e të tjerëve, por të merremi me vizionin tonë si të ndërtojmë Beratin që meritojmë” .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›