Berisha: Besimi i sipërmarrësve do shndërrohet në një histori suksesi

Kryeministri Berisha, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës Tregtare Tirana East Gate (TEG), një investim shqiptar, i ndërtuar në një kohë rekord prej 18 muajsh
Drejtori Ekzekutiv i Balfin Group, Mane: TEG, investimi që nderon Shqipërinë
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se hapja e qendrës tregtare “Tirana East Gate”, një ndër më të mëdhatë në rajon, është një ngjarje e madhe në historinë e tregut të Shqipërisë. “Inaugurimi i kësaj qendre madhështore është dhurata më e bukur që Balfin Group dhe Fondi Shqiptar Amerikan i Sipërmarrjes i bëjnë Shqipërisë në 100-vjetorin e pavarësisë së saj”- tha kryeministri. Duke e vlerësuar TEG-un si qendrën më të madhe e të rëndësishme tregtare të vendit dhe ndër më të bukurat në rajon dhe më gjerë, Berisha tha se vendosja e flamurit tregtar të Europës në ambientet e tij, dëshmon besimin tek partneri i tyre shqiptar Balfin Group dhe tek Shqipëria. Berisha shprehu mirënjohjen e tij për sipërmarrësit tregtarë të kësaj qendre dhe tha se qeveria do të bëjë gjithçka se besimi i tyre të shndërrohet në një histori të vërtetë suksesi. “Një miku im tha se duke vizituar qendrën besoja se jam në Paris (Francë), por unë i sugjerova atij ta vizitojë edhe një herë që të kuptojë se është në Shqipëri, pasi ky është një investim shqiptar, një ndërtim në një kohë rekord prej 18 muajsh”- tha Kryeministri Berisha. Ai vlerësoi faktin se një sipërmarrje e tillë do të mund të krijojë hapjen e rreth 2 mijë vendeve të reja pune, ndërsa 2 mijë të tjerë marrin rrogat për veprimtarinë e kësaj qendre. TEG, vlerësoi Kryeministri Berisha, është investimi më i madh në historinë e tregut në Shqipëri. “Një investim prej 104 milionë dollarësh, nga të cilat, 50 milionë janë kryer nga kompanitë dhe 54 milionë nga vetë qendra”- tha Berisha. Sipas tij, me të drejtë u theksua se kjo qendër është vazhdim i sukseseve të Samir Manes në fushën e tij. “Pas suksesit me qendrën tregtare QTU, që u shndërrua në historinë më të madhe të suksesit të tregut në Shqipëri, suksesi i radhës i ka rrënjët në persistimin e z. Mane. Ata që persistojnë realizojnë, ia dalin. Kjo qendër, i jep tregut shqiptar një dimension që kurrë nuk e ka patur më parë”- deklaroi kreu i qeverisë Berisha. Ndërkohë drejtori Ekzekutiv i Balfin Group, Samir Mane, u shpreh se TEG do të sjellë një eksperiencë të re me produkte shqiptare dhe të huaja. Përfaqësues i Fondit Shqiptar të Sipërmarrjeve tha se ishte krenar për këtë bashkëpunim. “Kjo qendër tregtare është nga ato investime që nderojnë Shqipërinë”- tha më tej ai. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ambasadorë të akredituar në vendin tonë si dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Qendra tregtare e quajtur “Tirana East Gate” (Porta Lindore e Tiranës), me vendndodhje ne Jug – Lindje të Tiranës, konsiston në 39,000 m2 për përdorim të shitjes me pakicë, argëtim dhe ambiente zyrash. Qendra është me dy kate. Gjithashtu përfshihen minimumi 1500 vende parkimi nën toke dhe mbi toke, ambiente argëtimi, restorante, bowëling, 6 kinema të përshtatura, lojëra, bilardo, qendra të vogla fitnesi dhe pishina të mbyllura, supermarket dhe dyqan elektronik. Arkitekti projektues i këtij projekti është “Laguarda Low” nga Teksas, SHBA, projektuesi i strukturës është “Conisbee” nga Anglia, ndërsa projektuesi mekanik dhe elektrik është “Curona Design”, nga Anglia. Kjo qendwr ka avantazhin, sepse në afërsi është planifikuar të kalojë Unaza e Madhe si dhe është e vetmja qendër tregtare e aprovuar për këtë zonë gjeografike në Tiranë. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke synuar të rrisë standardet dhe të nxisë konkurrencën në sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri, ndihmoi me një hua prej 24 milionë euro për ndërtimin e qendrës më të madhe tregtare në vend. Kjo hua ndihmoi kompaninë “Tirana East Gate”, një prej kompanive kryesore në fushën e pasurive të patundshme në Shqipëri dhe pjesëtare e Balkan Finance Ivestment Group (Balfin), për të zhvilluar dhe ndërtuar një qendër moderne tregtare dhe argëtimi në Lundër, komuna e Farkës, 4 km në juglindje të Tiranës.
...