E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Synojnë stabilitetin e KESH-it dhe financave publike

25-11-2011 / Gazeta 55

Amendamentet në ligjin për Energjinë


Ministri i Financave, Ridvan Bode mbrojti dje në seancën plenare të Kuvendit, se ndryshimet në ligjin “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” synojnë stabilitetin e kompanisë KESH si dhe të financave publike të vendit. “Ndryshimi i ligjit është një hap i parë për të krijuar mundësinë që kompania KESH të mos vazhdojë të importojë me 145 lekë kilovatin e energjisë dhe t’ua shesë kompanive me 70 lekë kilovatin”, deklaroi Bode. Ky ndryshim, sipas Bodes prek rreth 10 kompani. Sipas Bodes, ndihma dhe përkrahja që i jepet biznesit duhet të jetë në përputhje me logjikën e tregut dhe të përafrohet me standardet e zhvillimit të tregut. Kreu i Financave tha se duhet të bëhen edhe një sërë ndryshimesh në mënyrë që gradualisht çmimet e lëndës së parë të reflektojnë konjukturën e tregut dhe jo të jenë të mbuluara dhe subvencionuara nga shteti. “Duhet t’i japim mundësi konsumatorit që të mos gjendet përballë kësaj rritjeje hiperbolike të çmimit të energjisë elektrike në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare”, vuri në dukje ministri i Financave. Sipas tij, arsyeja pse nuk është bërë më parë ky ndryshim në ligj, lidhet me faktin se konjuktura e çmimeve ka qenë e tillë që mund të përballohej. “Sot nuk mund të përballohet. Duhet të ketë të tjerë hapa për t’iu përgjigjur kësaj situate në nivel rajonal dhe global”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›