Kuvend, opozita kundërshton buxhetin. Berisha: S’do e votojnë sepse vuajnë nga “sindroma e tunelit”

- Kuvendi vazhdon diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2012, replika mes mazhorancës dhe opzitës
- Berisha, Blushit: Kjo qeveri reduktoi taksat, Rama do të taksonte edhe tabelën e shitores “Blushi”
- Mazhoranca: Buxheti 2012, mbështet stabilitetin makro-ekonomik si dhe rritjen e pagave e pensioneve
UPDATE- Kuvendi po diskuton në seancë plenare projektbuxhetin për vitin 2012. Kryeministri Sali Berisha, gjatë prezantimit në Kuvend të p/buxhetit deklaroi se “modeli ynë ekonomik bëri të mundur që ekonomia shqiptare, ndryshe nga ekonomitë e tjera që njohën rënie e recesion, të ruajë rritjen e përvishtme ekonomike dhe të mbajë të paprekura parametrat e stabilitetit makroekonomik”. Kryeministri e konsideroi prezantimin e buxhetit të ri si “ditën më të shënuar të parlamentit shqiptar, ditën kur ligjvënësit e vendit vendosin për buxhetin familjar të 820 mijë familjeve shqiptare, të cilat janë aksionere direkte në këtë buxhet”. “Sot vendosim për buxhetin e të gjithë shqiptarëve, për kontot dhe portofolet e tyre, për vendet e punës, shërbimet ndaj tyre, vendosim për shkollat e fëmijëve të tyre, për shërbimin e mjekëve, vendosim për atë se si do t’i shpenzojnë fondet për të arritur në destinacionin e tyre të përditshëm e të përjavshëm. Pra, se çfarë do të bëhet me mundin e djersën e tyre gjatë vitit 2011; cila është perspektiva e punësimit të tyre, në fund të fundit vendosim për begatinë e mirëqenien e familjeve shqiptare”- tha Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se në sajë të reformave të gjithanshme të mazhorancës në këto vite dhe mbi të gjitha modelit ekonomik të vendosur, shqiptarët ia dolën që në një hark kohor 6-vjeçar të inkasojnë në buxhetin e tyre rreth 8 miliardë dollarë më shumë. “Gjatë këtyre viteve kemi bërë tre buxhete shtesë, shqiptarët meritojnë 30 buxhete shtesë, por ne ia kemi dalë të mbledhim në këto vite tetë miliardë dollarë më shumë, duke mos llogaritur këtu shumë miliarda me uljen e taksave, tarifave, tatimeve, doganave etj”. Kryeministri deklaroi gjithashtu se ashtu si dhe vitin e kaluar opozita nuk do ta votojë sërish buxhetin pasi sipas tij, vuan nga “sindroma e tunelit”. “Unë e di që ju (opozita) e keni këtë ditë si ditën më të vështirë të vitit. Një vit më parë ju ratë në sindromën e “tunelit të Krrabës” dhe qëndruam së bashku deri në orën 5 të mëngjesit. Unë u përpoqa t’u shëroja, por ishte e pamundur. Ju nuk do e votoni sërish buxhetin, pasi ju keni sindromën e tunelit”- iu drejtua kryeministri Berisha deputetëve socialistë në sallën e parlamentit. Gjatë diskutimeve në parim për projektbuxhetin e vitit 2012, kreu i qeverisë Berisha nënvizoi se rritja e pagave dhe pensioneve, krahas ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, janë objektivat madhorë të qeverisë dhe drejtimi themelor i p/buxhetit. “Opozita prej 6 vitesh është pesimiste dhe skeptike lidhur me p/buxhetin. Deklaroi në çdo rast se nuk do të mund të rriteshin pagat dhe pensionet, por ne çdo vit i rritëm ato dhe asgjë nga ato që trumbetoi opozita nuk u provuan. Buxheti ka shpërndarjen më të mirë të mundshme. Unë prisja që ju të kontribuonit në shpërndarjen e tij, por ju nuk e bëni sepse ju votoni kundër rritjes së pagave dhe pensioneve, apo infrastrukturës rrugore. Ky buxhet, vendos në themel të tij të gjitha kriteret më të shëndosha europiane të parametrave makroekonomik. Ka vendosur në epiqendër familjen shqiptare, rritja e pagave dhe pensioneve është qëllimi i parë më madhor i këtij buxheti, pas stabilitetit makroekonomik, që është jetik dhe vendimtar”- u shpreh kryeministri Berisha. Kjo politikë konstante e kësaj qeverie, tha më tej Kryeministri, është e paprecedentë në histori, një politikë që ka bërë që pagat dhe pensionet që nga viti 2006 të rriten mesatarisht me 120 %. “Reformat ekonomike dhe strukturore bënë që Shqipëria të jetë vendi i vetëm, sipas institucioneve botërore, që ka jo rritje, por ulje të papunësisë. Opozita thotë se ka një milion të papunë, kur vendi ka krah pune 1 milionë e 60 mijë qytetarë shqiptarë. Ky është nihilizëm i madh”- theksoi kryeministri. Shefi i ekzekutivit u angazhua për të bërë gjithçka për rritjen e të ardhurave në buxhet dhe shpërndarjen sa më të drejtë të tyre. “Ne do të vijojmë rritjen e pagave dhe pensioneve. Mund të jemi i vetmi vend që merr një vendim të tillë. Nuk injorojmë krizën, as pasojat e saj, por ne do të bëjmë gjithçka që krahas stabilitetit makroekonomik të dërgojmë para direkt çdo muaj në llogaritë e 800 mijë familjeve shqiptare”- tha Berisha. Një tjetër objektiv i rëndësishëm për buxhetin e vitit të ardhshëm, është mbështetja e projektit “Shqipëria dixhitale”. “Janë rreth 125 projekte që do të mbështeten gjatë vitit 2012”- tha Berisha. Kryeministri theksoi se p/buxheti gjithashtu mbështet ndërtimin e infrastrukturës rrugore. “Janë asfaltuar mbi 9 mijë km rrugë. Shqipëria do të asfaltohet”- nënvizoi Kryeministri. Ndër objektivat e këtij projektbuxheti, tha Berisha, janë edhe mbështetja e projekteve të frutikulturës, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes, si dhe policisë.
Berisha kundër qëndrimit të opozitës për buxhetin
"Trilloni dhe shpifni, Kryetari juaj i lidhur me ritin e vdekjes, ne me atë të jetës"
Replikat Berisha – Blushi: Rama do të merrte taksën e tabelës për shitoren “Blushi”
Duke reaguar ndaj deputetëve të PS-së në Kuvend, të cilët e cilësuan buxhetin 2012 si gënjeshtër, kreu i qeverisë theksoi se buxheti ka në parim rritjen ekonomike dhe uljen e ndjeshme të taksave. “Po thoni gënjeshtra. Po trilloni për buxhetin. Buxheti ka një parim për rritjen ekonomike. Ju thoni të kundërta dhe të pavërtetat më të mëdha për buxhetin”- tha kryeministri. Berisha deklaroi se në projektbuxhetin 2012 i janë akorduar pesë herë më shumë fonde pushtetit lokal, se sa në vitet e qeverisjes socialiste. “Janë së paku 35 miliardë lekë ose pesë herë më shumë fondet e akorduara në buxhet, krahasuar me atë që ju(opozita) iu dhatë me pikatore qeverive vendore. Sot qeveritë vendore kanë taksën e plotë të biznesit të vogël”- tha kryeministri Berisha, në përgjigje të akuzave të deputetëve socialistë për fonde të pamjaftueshme pushtetit lokal. Ai konfirmoi se p/buxheti ka në parim rritjen ekonomike, ndërsa akuzat e opozitës i cilësoi “gënjeshtra”.“Po thoni gënjeshtra dhe po trilloni për buxhetin. Buxheti ka një parim: rritjen ekonomike. Ndërsa ju thoni të kundërta dhe të pavërtetat më të mëdha për buxhetin”- u shpreh kryeministri, duke iu drejtuar deputetëve socialistë. Më konkretisht, Berisha replikoi me deputetin socialist Ben Blushi, të cilit i kujtoi taksat abuzive që mblidhte Edi Rama në bashkinë e Tiranës. “Në 2005-ën ne gjetëm 7 miliard lekë fond të kushtëzuar dhe të pa kushtëzuar, për pushtetin vendor. Sot, në fondin e rajoneve në grandin e kushtëzuar dhe pa kushtëzuar janë së paku 35 miliard lekë. Janë së paku 5 herë më shumë sesa i dhatë ju me pikatore qeverive vendore. Janë, nëse do t’i proporconojnë ato 7-a, 30 % – 40 % ia jepnit bashkisë së Tiranës të cilat s’u futën kurrë në punë për rrugë dhe rrugicat e qytetarëve të Tiranës. Ish kryetari i bashkisë së Tiranës i detyronte bizneset të paguanin edhe për tabelën. Kujtoni shitoren “Blushi”, do paguaje lekët ti zotëri”- u shpreh Berisha, ndërsa shtoi se abuzimet e Ramës në bashkinë e Tiranës s’kanë të llogaritur. “Sa paguanin qytetarët e Tiranës për gjelbërimin? E dini ju se një pemë iu kushtonte 5 mijë dollarë. 17 milionë dollarë taksa të mbledhura në emër të diskrecionit, siç thotë ai zotëria, ku janë? Thoni po të doni se Tirana është qyteti më i pyllëzuar i rajonit. Por jo, s’e thoni ju. Shikoni sheshin qendror, nga betoni u kthye në gjelbërim. Ne nuk bëjmë kurbane të lidhura me ritin e vdekjes, riti ynë është ai i jetës. Qeveritë vendore sot kanë taksën e plotë të biznesit të vogël”- tha më tej Berisha.
Ruli: Buxheti mbështet fermerin shqiptar
Projekt buxheti i shtetit për vitin 2012 për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të financojë zbatimin e projekteve prioritare që synojnë të rrisin mbështetjen për fermerin shqiptar, duke adresur për këtë sektor financime të konsiderueshme që llogariten në nivel më të lartë se në vitin 2011. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, gjatë diskutimit të projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2012, sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, tha se “projekt buxheti 2012 për ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit arrin në rreth 6.8 miliardë lekë, me një rritje 5,2% më shumë se në 2011, ku prioritet janë zbatimi i programeve që kanë nisur financimin dhe synojnë zhvillimin zinxhir të sektorit rural”. Duke shprehur optimizëm për investimet dhe financimet e rëndësishme që janë planifikuar të realizohen vitin që vjen, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rural në vendin tonë, Ruli nënvizoi se përparësi financimi nga buxheti 2012 do të marrin projekti kombëtar i lançuar nga Kryeministri Sali Berisha për mbjelljen e shtimin e sipërfaqeve me arrore, lajthi, gështenja, arra, shegë dhe bajame, si projektet më të leverdisshme për vendin, ndërkohë që, projekti për ullishtarinë vazhdon të bartë rëndësi për ekonominë rurale. Sipas tij, programi për rritjen e sigurisë ushqimore në vend, përmirësimi i infrastrukturës së kullimit të ujit dhe ujitjes në bujqësi dhe aplikimi i kredive të buta për fermerin, renditen ndër komponentët kryesorë që do të përfitojnë dhe financimet më të mëdha. Ministri Ruli i bëri apel deputetëve të opozitës që të votojnë projekt-buxhetin 2012, si buxhetin që reflekton vazhdimësinë dhe konsistencën e programit të qeverisë, të ndërmarrë në vite dhe që synon të përmbushë objektivat e qeverisë për uljen e varfërisë dhe rritjen e të ardhurave familjare.
Opozita kundër projektbuxhetit: Nuk shënon rritje ekonomike
Partia Socialiste u shpreh sot në Kuvend kundër projektbuxhetit të shtetit për vitin 2012, duke vlerësuar se ai nuk shënon rritje për ekonominë shqiptare, por thellon krizën dhe rrit nivelin e borxhit. Në emër të grupit parlamentar të PS-së, nënkryetari i tij, deputeti Erion Braçe, deklaroi se asnjë shqiptar nuk përfiton nga ky buxhet, ndërsa qeveria do të paguajë më pak për pagat. “Ky buxhet synon të mbledhë të ardhura e të ndajë shpenzimet sipas llogarisë qeveritare. 80 % e pasurisë në këtë vend zotërohet prej 1 % të popullsisë shqiptare. Së bashku kemi arsye të rrëzojmë sa më parë këtë qeveri, duke parë varfërinë e madhe, problemet që po has populli çdo ditë e më tepër”- tha Braçe.
...