E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bllokimi i statusit nga PS, dëmton rëndë Shqipërinë - Rama të votojë 3 ligjet

11-12-2012 / Gazeta 55

Në prag të vendimit të Bashkimit Evropian për statusin kandidat të Shqipërisë, kryeministri Sali Berisha i bën një tjetër thirrje Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj, Edi Rama që të votojë 3 ligjet e Komisionit Evropian.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha solli në vëmendje se me refuzimin e statusit, PS dëmton rëndë Shqipërinë si dhe pengon të ardhmen evropiane. Kreu i qeverisë tha se detyrë e klasës politike është ta nderojnë vendin në 100 vjetorin e themelimit të shtetit. “Sërish thirrja ime është që Edi Rama t’i votojë tre ligjet e kërkuara, pavarësisht se dëmin e ka bërë dhe mesazhi është i pariparueshëm. Dua t’i njoftoj shqiptarët se mesazhi që u dërgua në Bruksel, ishte qartësisht negativ: Kur ju nuk votoni për veten tuaj, përse duhet të votojmë ne për ju, kur ju nuk votoni tre ligjet që ju kërkohen për statusin, përse do të votojmë ne për ju. Megjithatë procesi i integrimit është një proces i gjatë dhe kompleks dhe unë i bëj thirrje që, në nderim edhe të këtij 100 vjetori, por edhe në reflektim të dëmit të madh që i bëri vendit, le t’i votojmë ato”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se ata që mendojnë se votimi i ligjeve të integrimit ndihmon qeverisë, i bëjnë llogaritë gabim, pasi përmbushja e reformave në radhë të parë ndihmon qytetarët shqiptarë dhe përcakton të ardhmen e tyre në familjen e madhe evropiane. “Është kalkulim absolutisht i gabuar, në qoftë se vazhdon të besosh se votimi i tyre ndihmon qeverinë. Jo. Votimi i tyre ndihmonte çdo shqiptar”, tha ai.
Për kreun e ekzekutivit, mosvotimi i ligjeve të integrimit është një faturë shumë e rëndë për ata që përdorën pushtetin e qytetarëve, për t’i bllokuar. Apeli i kryeministrit është që opozita të heqë dorë nga politikat bllokuese dhe të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë në procesin e integrimit. “Prandaj, pavarësisht se e bllokove procesin, le të votojmë dhe në këtë mënyrë të dëshmosh se nuk mund të qëndrosh në një politikë bllokuese”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›