E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Bamir Topi do të kthehet në PD

Ish-ministri i Jashtëm i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj deklaron se kreu i shtetit, Bamir Topi, pas përfundimit të mandatit do të kthehet në partinë nga ku doli. Në një intervistë në “Top Channel”, Mustafaj kritikoi sulmet ndaj Presidentit duke konstatuar se ai përbën një vlerë për Partinë Demokratike dhe të djathtën shqiptare. Me të njëjtën dozë vlerësimi, Mustafaj foli edhe për deputetin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Duke ju referuar mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar të PD-së, ai theksoi se memorandumi i paraqitur në mbledhje, në thelb ia arriti qëllimit dhe solli një frymë të re brenda partisë. “Pati një frymë të re nga lidershipi, për të shqyrtuar ato që paraqita unë. Jam i kënaqur sepse nisi një frymë e re. Në thelb mendoj se ia arriti qëllimit dokumenti, në Këshillin Kombëtar të PD”, u shpreh Mustafaj, i cili shtoi se ka pasur shumë mesazhe mbështetëse prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar, pavarësisht se votuan kundër. Ish-ministri i Jashtëm tha se ai personalisht nuk synonte hedhjen në votim të memorandumit, pasi nuk dëshironte të krijoheshin fraksione brenda këshillit dhe se vetë Berisha bëri gabim që e hodhi në votim atë. Mustafaj nënvizoi se ky organ i Partisë Demokratike është jashtë funksionit dhe se ai duhet të rikthehet në kryerjen e detyrave të tij, siç janë politikat, analizat dhe vendimet. “Unë isha kundër hedhjes në votim të memorandumit. Berisha bëri gabim që e hodhi në votim për të ndarë këshillin në të mitë e në të atij, kur nuk ka rivalitet mes meje dhe atij. Këshilli duhet të prodhojë politika, analiza dhe vendime. Aktualisht, këshilli PD është jashtë këtij funksioni. Ato që thosha unë ishin pjesë e shqetësimit që kanë shumë demokratë”, insistoi Mustafaj. Ai analizoi edhe situatën politike në vend dhe luftën e ashpër mes dy kampeve kryesore, ndërsa nënvizoi se është dhe do të jetë pjesë e Partisë Demokratike, si një mendim që synon t’i japë hapësirë pjesës vitale të partisë, për shkak të bindjeve të tij politike dhe se nuk mbështet asnjë alternativë që synon të zëvendësojë me dhunë alternativën tjetër. Mustafaj kritikoi gjithashtu edhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, Rama në krye të PS-së po imiton defektet e Berishës. “Tek Edi Rama më bën përshtypje që në mënyrë shablloneske imiton defektet Berishës. Berisha është një politikan kompleks, është Kryeministër dhe lider politik, pasi udhëheq koalicionin qeverisës”, tha Mustafaj. Ai u shpreh optimist për gjetjen e mjeteve të komunikimit mes opozitës dhe mazhorancës në Shqipëri, për të kapërcyer krizën politike, pasi sipas tij, përpara është 8 maji, një datë e pakapërcyeshme nga të dyja kampet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›