E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Brenda këtij mandati çdo fshat do të ketë rrugë të asfaltuara

25-08-2011 / Gazeta 55

UPDATE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot nga përurimi i fillimit të punimeve për asflatimin e rrugës në komunën Hotolisht, të rrethit Librazhd, se brenda këtij mandati s’do ketë asnjë rrugë të paasfaltuar në çdo fshat dhe komunë të Shqipërisë.


Berisha mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve në rrugën Hotolisht-Qendër-Frar në nënprefekturën e Librazhdit. Në fjalimin para banorëve të zonës, Kryeministri garantoi se qeveria është e vendosur të vazhdojë investimet e premtuara. “Librazhdi, - u shpreh Berisha, - është një vend i pasur me ujra e rezerva hidrike dhe për këtë qëllim janë parashikuar të ndërtohen një sërë hidrocentralesh në përrenjtë që derdhen në lumin Shkumbin”. Më tej, ai garantoi se qeveria që ai drejton do të financojë projekte për rrugët, shkollat, kanalizimet, ujësjellësa, qendra shëndetësore dhe në infrastrukturë. Ai u ndal në mënyrë të veçantë në sistemin e vaditjes. “Ne do të përqendrohemi veçanërisht në vaditje dhe do të bëjmë që fermerët e Librazhdit të kenë sistemin më modern të ujitjes në Evropë. Librazhdi, - tha Kryeministri, - ka edhe rezerva të mëdha minerare që përbëjnë një bazë të madhe për zhvillimin e zonës”. Projekti për ndërtimin e punimeve të rrugës me dy korsi Hotolisht-Qendër-Frar është një financim prej 1.5 milion Euro dhe u shërben drejtpërdrejtë 6850 banorëve. Kryeministri ka garantuar se qeveria do të mbajë premtimet e saj për të lidhur çdo skaj të largët të fshatrave me rrugë automobilistike me qendrat e komunave dhe zonat urbane. Në qarkun e Elbasanit vazhdojnë njëkohësisht disa projekte në këtë drejtim, por projekti më i madh mbetet ai i rrugës Elbasan-Tiranë me tunel.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›