Berisha: Brenda vitit tapitë e tokës, do bëjmë hartën dixhitale
Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të fshatit Ishëm në Durrës. Duke ju përgjigjur pyetjeve të banorëve për tapinë e tokës, kryeministri Berisha premtoi zgjidhjen e këtij problemi sipas ligjit 7501. Kreu i qeverisë tha se shumë shpejt do të nis puna për hartën dixhitale të tokës e cila do të zgjidhë përfundimisht këtë çështje.
Premtimi
Kur janë ndarë tokat me ligjin 7501, për fatin më të keq, le ta quajmë procesi gjeometrik i kësaj ndarjeje në shumë raste ka qenë jo i saktë dhe kjo ka krijuar këto probleme. Si do të zgjidhet kjo? Ne po bëjmë hartën dixhitale të tokës, e cila do të tregojë qartësisht pozicionin e çdo parcele. Me dy vendime shumë të rëndësishme, ne ju kemi dhënë të gjitha kompetencat kryetarëve të komunave. Do të sjellim edhe hipotekën në komunë, në mënyrë që brenda vitit të verifikojmë e ndajmë tapitë. Ky është vendimi ynë, premtoi kryeministri Berisha. Në vijim, kreu i qeverisë akuzoi kryesocialstin Rama se propozimi i tij për heqjen e TVSH-së për disa prej produkteve ushqimore dëmton fermerët vendas ndërsa u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për rritjen e çmimeve të disa produkteve. Ai bërtet vazhdimisht, thotë janë rritur çmimet. Po zotëri, në çdo vend që zhvillohet çmimet rriten. Ky është ligj themelor i kapitalizmit. Ajo është një rritje që, kur është rritje normale, nxit ekonominë. Në një ekonomi që nuk rriten çmimet ajo shkon kokëposhtë. Rriten çmimet, ne rrisim dy herë më shumë rrogat. Edhe në qoftë se shohim sot shportën e ushqimeve që përdorim në muaj, me rritjen e rrogës çdo punonjës mund të vendosë në shportë, pavarësisht nga shpenzime të tjera edhe 44 kg ushqime të ndryshme. Kjo është e vërteta dhe kjo është rruga, u shpreh kryeministri Sali Berisha. Kryeministri u premtoi fermerëve të kësaj zone se qeveria do të vijojë me reformat për të rritur prodhimin vendas. Ne ia dolëm ti rezistojmë krizës, ta ruajmë rritjen ekonomike. Se po ti kthenim në shërbime, edhe ne e pësonim si të tjerët. Ne do të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe më këmbë në tokë është që të prodhojmë sa më shumë, të nxisim sa më shumë prodhimin, deklaroi kryeministri Berisha.
Pollo: Opozita me 2-3 kandidatë për kryeministër
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Beratit, Genc Pollo zhvilloi një takim me banorë të fshatit Dyshnik në komunën Otllak të Berat. Gjatë fjalës së tij, Pollo ironizoi opozitën e cila sipas tij ka 2-3 kandidatë për kryeministër. Nuk janë seriozë dhe nuk janë udhëheqës të qartë dhe të besueshëm, përderisa kanë 2-3 Kryeministra në koalicionin e tyre. Dhe thonë do bëhet sipas Kushtetutës. Po a ka Kushtetutë në Botë që lejon 2-3 Kryeministra njëherësh! Vetëm mendja e Edi Ramës mund ta pjelli këtë gjë dhe vetëm dobësia e Partisë Socialiste mund ta sajojë këtë shpjegim, tha Pollo. Genc Pollo akuzoi opozitën se ka votuar kundër të gjitha investimeve të mëdha të realizuara nga qeveria. Ne votuam financimin e Boshtit të Jugut. Boshti i Jugut është bërë në gjysmën e tij më të vështirë, ndërsa Partia Socialiste dhe Edi Rama votoi kundra dhe kurrë ndonjëherë nuk e përmendi me emër Boshtin e Jugut, përfundoi Pollo.
Idrizi: PDIU e angazhuar për barazinë gjinore
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi një takim me anëtaret e Forumit të Gruas së PDIU-së në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi falënderoi gratë për kontributin dhe rolin e tyre në shoqëri. Femra është forca më vitale e shoqërisë shqiptare. Shpesh herë duket sikur ne jemi një shoqëri maskiliste, por në fakt, kur burrat kthehen në shtëpi, janë pikërisht gratë ato që shërbejnë si kolona e shtëpisë. Janë gratë ato të cilat na edukojnë, na rrisin dhe na bëjnë gati për tu përballë me sfidat e jetës. Për këtë arsye unë personalisht nuk do tju kërkoj votën për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, nuk do tju kërkoj votën për numrin 50, por dua nga kjo tribunë tju falenderoj për rolin që ju luani në shoqërinë shqiptare, tha Idrizi. Në vijim, Idrizi tha se PDIU është e angazhuar për barazinë gjinore në garën elektorale. Ju e keni parë se ne jemi ndër të paktat parti që kemi respektuar kodin zgjedhor për sa i përket përfaqësimit të grave në listat e kandidatëve. Por jo vetëm kaq, sepse është domosdoshmëri që femrat të jenë të përfaqësuara mbi 30 për qind në listën e kandidatëve. Ne kemi vendosur në dy zona zgjedhore dy gra që drejtojnë listat e kandidatëve, u shpreh Shpëtim Idrizi.
Imami takim me banorët në Cërrik: Do vijojmë investimet
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Arben Imami zhvilloi një takim me banorë të lagjes numër 3 në Cërrik. Në fjalën e tij Imami e vuri theksin tek investimet e bëra nga qeveria në këto tetë vite ndërkohë që nuk i kurse as akuzat për kreun e PS-së, Edi Rama. Rruga me tunel do të ulë çmimin dhe do të ndikojë pozitivisht në xhepat tuaja, por kemi dyfishuar edhe rrogat e arsimtarit dhe do ta çojmë 700 dollarë, janë rritur rrogat e shëndetësisë, pensioneve, janë rritur rrogat e vogla, jo rrogat e mëdha. Gjatë këtyre viteve nuk janë rritur rrogat e ministrave dhe drejtorëve. Vetëm në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 100 shkolla, kemi investuar në universitetin e Elbasanit si edhe kemi trefishuar numrin e studentëve. Edi Rama thotë që do ti shkurtojmë universitetet që të shkurtojë cilësinë, ne i themi shokut të autobusëve që të rrisë autobusët, mos dil fare dhe të çojmë tek varrezat e makinave bashkë me autobusin tënd, tha Imami. Duke u ndalur tek integrimi i Shqipërinë në BE, Arben Imami akuzoi opozitën se bllokoi procesin, duke i hequr kështu mundësinë vendit për të përfituar miliona euro investime.