Kamëz, Rama: Nuk ju kam quajtur shpellarë, Saliu kërkon të fusë thikën e ndasisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi dje një bashkëbisedim me banorë të Kamzës. Gjatë fjalës së tij, Rama akuzoi kryeministrin Berisha se me deklaratat e tij kërkon të nxis përçarjen në vend. Kryesocialisti i ftoi banorët e Kamzës që në 23 qershor të votojnë duke u shkëputur nga e kaluara dhe duke menduar për më të mirën për veten dhe vendin e tyre.
Deklarata
Saliu nuk e përdor votën tuaj për tiu ndihmuar, por për të futur thikën e ndasisë, duke shpikur se unë kam thënë shpellarë, ai nuk iu do, të gjitha gënjeshtra. Mirë ju, por fëmijët tuaj çfarë faji kanë që jeni në këtë gjendje. Kjo është pyetja që kam unë për ata që janë prindër dhe votojnë qorrasi, për Saliun, dhe PD një parti familjare që punon ditë e natë për vete. Që mori përdore fëmijët tuaj dhe i nxori analfabete funksionalë, siç thotë Banka Botërore jo unë. Lërini historitë, jo jemi nga veriu, jo nga jugu të djathtë jo të majtë, bëhuni me familjen tuaj, bëhuni me interesin e komunitetit tuaj dhe atdheun tuaj, u shpreh Rama.
Legalizimet
Gjatë fjalës së tij, kreu i PS-së akuzoi qeverinë se ka mashtruar banorët e kësaj zone për çështjen e legalizimit të banesave të tyre. Ku i keni legalizimet? Letrat i keni se ua kanë dhënë Shabani tapitë sa herë vijnë fushatat. Ku e keni dokumentin se jeni pronarë të kapitalit që keni investuar? Nuk e keni sepse as nuk ka ndërmend tua japë njeri. Nëse e doni ta mbani Saliun me antiplumb në qafë mbajeni. Nuk ju futini Saliu në NATO e bëri SHBA. Saliu e vonoi NATO, deklaroi Edi Rama. Sipas Ramës, Partia Demokratike është një pasuri kombëtare e cila ka rënë në duart e personave të gabuar ndërsa akuzoi kryeministrin se po i përdor banorët e Kamzës si zgjedhës dhe jo si njerëz. Për Saliun ju nuk jeni njerëz, por vetëm zgjedhës. Dhe zgjedhës do thotë t’i rrejmë sa të mundemi t’i marrim votën dhe të shohim çfarë mund të bëjmë. Vota duhet të jetë e kthjellët. Nuk u them demokratëve bëhuni socialistë. PD është pasuri kombëtare që për momentin ka rënë në duart më të këqija, do të thonte Haveli, heroi më i madh që mundi komunistin. Sipas tij komunisti më i keq është komunisti antikomunist. Tesera e partisë është tjetër gjë, vota është tjetër gjë, tha Edi Rama.
Grabitet zyra elektorale e LSI në Shkodër
Zyra elektorale e LSI-së në qytetin e Shkodrës ka rënë pre e një grabitjeje. Ditën e djeshme rreth orës 10:45 dy persona të maskuar kanë hyrë në zyrën e LSI-së të Shkodrës e cila ndodhet në rajonin numër 5 në Shkodër dhe nën kërcënimin e armës kanë mundur të marrin një portofol dhe sende të tjera personale me vlerë që ndodheshin në zyrë. Pas kësaj ngjarjeje përfaqësuesit e LSI-së në Shkodër kanë bërë denoncimin e ngjarjes në Komisariatin e Shkodrës. Vetë kandidatja e për deputete e LSI-së në këtë qark, Nora Malaj e cilësoi ngjarjen si banale dhe jo një incident elektoral. Malaj u bëri thirrje përfaqësuesve të LSI-së që të mos tremben nga të tilla ngjarje por të vijojnë normalisht punën.
Ruçi dhe Braçe: Votoni për të
shpëtuar nga pushteti i korruptuar
Dy kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi dhe Erjon Braçe zhvilluan një takim me banorë të zonës së Çermës në Lushnjë. Gjatë fjalës së tij, Braçe u premtoi banorëve heqjen e akcizës për naftën dhe TVSH-në për plehrat kimik. U kemi premtuar që do të heqim akcizën e naftës, madje 800 lekë taksa në 1900 lekë që është litri i naftës dhe do ta mbajmë këtë premtim. Kemi premtuar që do të heqim TVSH-në për plehrat kimike dhe do ta mbajmë këtë premtim. Kemi premtuar që do të kontrollojmë cilësinë e farërave dhe fidanëve që të mos ndodhë më kurrë që nga dyqani i farave këtu në Çermë të shpërndahet farë dhe të mos mbijë misër atje në arat tuaja. Duke iu marrë para dhe duke ju vjedhur, tha Braçe. Ndërsa kandidati Ruçi në fjalën e tij u kërkoi banorëve që në 23 qershor të votojnë për atë forcë politike që duhet. Keni 67 parti në listë. I prisni të gjithë. E di që do tju lodhin, do tju mundohen edhe tju blejnë me para, se shumë nga ata janë paralli. Një porosi do tju jepja, asnjë lekë mos refuzoni, merrini se është gjaku, djersa dhe mundi juaj nëpërmjet korrupsionit që ju kanë vjedhur 8 vjet rresht. Por votën hidheni atje ku duhet, deklaroi Gramoz Ruçi.