Berisha: Brukseli ka në dorë librin e të vërtetave, projektin e integrimit të Shqipërisë

Kryeministri flet për mediat pas dorëzimit të Pyetësorit: Paraqita Shqipërinë e ndryshuar dhe të denjë për sfidat e integrimit
Takimi me Nanon, për ta informuar lidhur me momentin historik të vendit
Kryeministri Sali Berisha informoi pak minuta më parë, gjatë një konference për shtyp vizitën dy ditore të zhvilluar në Bruksel, ku dorëzoi përgjigjet e Pyetësorit të Bashkimit Evropian. Kryeministri tha se gjeti në Bruksel një ambient shumë mikpritës, teksa institucionet më të rëndësishme të Unionit, shprehën entuziazmin e tyre, për progresin e Shqipërisë në 18 vite pluralizëm politik. Kreu i qeverisë e cilësoi dorëzimin e Pyetësorit, si momentin më solemn dhe emocional në tërë historinë e kombit, teksa zyrtarët e Brukselit, kishin tashmë në dorë librin e të vërtetave dhe projektin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“18 vjet më parë do të vizitoja Brukselin si përfaqësues i një vendi që përjetonte zinë e mjerimit dhe skamjes së thellë. Në 1992, në 5 maj, në vizitën time të parë në PE dhe KE, që nga ajo kohë, kam takuar në mënyrë të përsëritur të gjithë kryetarët e KE, nga Xhak de Lor te Presidenti Barroso, të gjithë kryetarët e PE nga Ego te Buzek,
por vizita e 14 – 15 prillit në Bruksel, ishte vizita më e rëndësishme, ishte vizitë historike për mua, shqiptarët dhe Shqipërinë. Në Bruksel unë shkova për të paraqitur librin e 2284 pyetjeve që Komisioni na dorëzoi në vitin 2009. Ishte momenti më solemn, më emocional. Në 14 prill ora 16.00 i dorëzova komisionerit Fule, librin e përgjigjeve të pyetjes, si libri më voluminoz të shtypur ndonjëherë në historinë e këtij vendi.
Ky vëllim përmban të gjitha të vërtetat e Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 18 vite, përmban të gjitha ligjet, praktikat reformat, mbi të cilat shqiptarët kanë ndërtuar reformat demokratike. Që nga vizita ime e parë, Shqipëria numëronte 80 përqind të forcës së saj punëtore, të papunë, të ardhurat për frymë ishin vetëm 204 dollarë, rroga mesatare 6 dollarë. Rezerva valutore e vendit në total, 1.5 milion dollarë. Në vizitën time të parë në Bruksel, mund të thuhet pa e ekzagjeruar, se në disa aspekte, vendi ndodhej shekuj larg vendeve anëtare të BE-së. Udhëtimi 18-vjeçar i Shqipërisë, nuk ka qenë një udhëtim i lehët, ai ka qenë një udhëtim i vështirë, me mundime e sakrifica, por i sigurt, i suksesshëm. Kolegët e mi kryesues të qeverive të vendeve të BE-së, e cilësuan këtë udhëtim, si një mrekulli të vërtetë. Por, pas 18 vjetësh përfaqësova në Bruksel një vend anëtare të NATO-s, anëtarë të Këshillit të Evropës, një vend që ka nënshkruar MSA-në. Përfaqësoja një vend, i cili zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme, disponon institucionet e shtetit ligjor, funksional, një vend me një ekonomi tregu funksionale, e cila i rezistoi cunamit financiar ekonomiko botëror dhe kjo jo se ekonomia shqiptare nuk ishte pjesë e ekonomisë globale, por e kundërta është e vërtetë. Ekonomia shqiptare është e vendosur me parimet më të drejta, me bazat më solide të një ekonomie tregu.
Përfaqësova vendin që në mirëqenie kishte lënë pas 180 vende, një vend ku rroga mesatare ishte rritur së paku 70 herë, të ardhurat për frymë mbi 30 herë. Përfaqësova një vend me infrastrukturën më moderne në rajon. Një vend që kishte arkivuar një Shqipëri të viti 92 dhe kishte krijuar një ekonomie krejt tjetër. Fyle u shpreh se ky libër është libri më modern ë historinë moderne të Shqipërisë. Ai u shpreh se Komisioni do ta shqyrtojë Pyetësorin me vëmendjen më të madhe. Ai premtoi mbështetje të plotë në procesin e integrimit të Shqipërisë.
Falenderova komisionarin dhe për klimën e shkëlqyer të marrëdhënieve me Komisionin Evropian. Garantova komisionarin se autoritetet tona mbeten të hapura për të gjitha shpjegimet, vërejtjet e zyrtarëve të Komisionit gjatë shqyrtimit të këtij libri, i cili është libri i të vërtetave të kombit, për të ndërtuar një shoqëri të lirë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke ju referuar deklaratave të personaliteteve më të larta të KE-së, Berisha vlerësoi angazhimin e komisionerit Fule për shqyrtimin me vëmendje të përgjigjeve të pyetjeve nga autoritetet shqiptare.
Kryeministri Berisha ka shpjeguar edhe takimin me Fatos Nanon të cilin e ka konsideruar liderin historik të së majtës.
“Në Vjenë, në një moment historik për vendin tim, do të ftoja liderin historik të së majtës shqiptare, për një takim i cili, kishte disa arsye: së pari, respekti im për kundërshtarin mbete konstant, por dua të thekson këtu se nuk mund të anashkaloja Nanon pa e takuar në këtë moment historik për vendin. Nano, pavarësisht se ku ndodhet, ka meritat e tij, të cilat askush nuk ia mohon. Nano, mori drejtimin e PPSH dhe e shndërroi atë në një parti që zgjodhi kryetarin edhe nisur nga anëtarët e thjeshtë siç ishte ai. E anëtarësoi atë në internacionalen socialiste. Të gjithë marrëveshjet që kam nënshkruar me të i kanë shërbyer kauzës evropiane të Shqipërisë. Dua të theksoj se në 2005-ën, Nano i qëndroi premtimit që i kishte dhënë anëtarëve të tij, për të dhënë dorëheqjen, duke vendosur kështu një standard të shkëlqyer në politikën shqiptare. Duke takuar z.Nano, kam shprehur një respekt për të majtën dhe kontributin e saj në të gjitha proceset e integrimit të vendit, ndaj dhe dua të bëj transparencën e këtij takimi, i cili zhvillohej në një darkë, 20 vjet pas darkës së përbashkët në Trieste. Besoj se me këtë unë lëshova edhe kureshtjen e fundit që kishte mbetur pa plotësuar”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.