Sërish për Aleancën e Pashenjtë mes Greqisë dhe Serbisë së Milosheviçit
Rreth librit të Takis Mihas “Aleanca e Pashenjtë”, botim i Shtëpisë Botuese “55”
Qeveria shqiptare duhet të bëjë çmos për penalizimin e shtetit grek para drejtësisë ndërkombëtare, për qëndrimin e vazhdueshëm pro-Millosheviçian të Greqisë gjatë luftës së përgjakshme në Kosovë. Në qoftë se me të vërtetë, Qeveria shqiptare gjakon në krijimin e marrëdhënieve solide me fqinjin tonë jugor, atëherë ajo duhet të bëjë çmos që në krye të agjendës së saj të vë çështjet e shumta të lëna pezull me Greqinë. Përndryshe, politika e flashkët shqiptare (pavarësisht se a është e djathtë apo e majtë) po i jep hapësirë të bollshme Greqisë që të sajojë “borxhe” të shumta që i paskëshim asaj - duke nënvizuar sidomos “mos-respektimin” e pakicës greke brenda Shqipërisë.
Mirëpo, dosja kundërshqiptare e Greqisë përfshin edhe një përmasë tjetër, jo aq shumë të sipërfaqësuar nga mediat shqiptare - bashkëpunimi sistematik i Greqisë me Serbinë veçmas gjatë kohës së luftës në Kosovë (1999). Sipërfaqësimi i vetëm është bërë kryesisht nga media perëndimore apo në të rrallë nga ndonjë personalitet i lartë ushtarak perëndimor (Wesley Clark), por asnjëherë nga shteti shqiptar. Fashitja e shpejtë e episodeve skandaloze të Greqisë së 99’ës është bërë edhe për shkak të mefshtësisë dhe paguximshmërisë së shtetit shqiptar, herë duke u përligjur për hatër të ‘marrëdhënieve miqësore’ e herë duke u trembur nga një reaksion i mundshëm i Greqisë. Gazetari i guximshëm grek Takis Mihas në librin e tij “Aleanca e pashenjtë” detajon angazhimin militaresk të Greqisë në mbështetje të Serbisë gjatë agresionit në Bosnjë-Hercegovinë: ‘E formuar në mars të vitit 1995, me kërkesë të gjeneralit Ratko Mlladiq, ‘Garda e vullnetarëve grekë’ - shenjë dalluese të saj kishte një shqiponjë dykrenore në një sfond të zi - shumë shpejt u shndërrua në një njësi të rregullt luftimi. Në shtator të vitit 1995, katër prej anëtarëve të saj u dekoruan me medaljen e ‘Shqiponjës së Bardhë’ nga Radovan Karaxhiq. Njëqind grek gjithsejtë luftuan tok me serbët dhe kampi i tyre kryesor gjendej në Vlasenica, në rrethinat e Tuzlës. Sipas zëdhënësit, Jorgos Muratidis, trupat ishin tërësisht të integruara në ushtrinë e serbëve të Bosnjës dhe komandoheshin nga oficerë serbë’ (2002: 42).
Për më tepër, libri i Takis Mihas është i mbushur ding me episode nga më tronditëset të shtetit grek në luftën e Bosnjës dhe Kosovës. Sipas Mihasit dimensioni i bashkëpunimit midis Greqisë dhe Serbisë është i larmishëm dhe përfshin: -organizimin e koncerteve dhe mitingjeve publike në përkrahje të Armatës serbe gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kosovë; - Klerikët ortodoks grekë kanë udhëtuar rregullisht në frontin e luftës në Bosnjë duke bekuar paramilitarët serb; - Greqia ka bojkotuar dhe thyer bllokadën ekonomike ndaj Serbisë duke e furnizuar jashtëligjshëm makinerinë serbe të luftës me derivate të naftës; - Media greke ka luajtur një rol të madh pro regjimit të Milosheviçit; - Në Greqi janë mbledhur më shumë se 2 milion nënshkrime në formë peticioni të përgjithshëm në mbrojtje të kriminelëve të kërkuar Vuk Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq; -Gjatë fushatës së bombave të NATO-s, zyrtarë ushtarak të shtetit grek i kanë përcjellë nën dorë informacione armatës serbe, aq sa shpeshherë caqe të rëndësishme të ushtrisë gjenocidale serbe janë lënë pa u bombarduar. Këtë e ka pranuar botërisht edhe ish kryekomandanti i NATO-s Wesley Clark në një diskutim televiziv më 2005; -Gazetarët grekë që ishin tokë me ushtrinë serbe në Kosovë janë solidarizuar botërisht me ta.