E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku duhet të ishte, në vitin e madh të shqiptarëve?

Kur i duhuri nuk gjendet në ngjarjen e domosdoshme, për më tepër e njoftuar me kohë se ajo do të ndodhë, dhe shfaqet pas saj si “Fani spathi”, ai qortohet rëndë, me këto fjalë: ”Ku qe, mos pritsh me ardhë?!” Rasti i ngjashëm, për çfarë bëhet fjalë, është sjellja e opozitës.
Ngjarja nuk është dosido - por madhore, për të gjithë shqiptarët bashkë e secilin. Lëvizja e tyre e lirë, në kontinentin e vet, do të jetë fundi i prekshëm, i izolimit më të hekurt, kolektiv e vetjak, i zbatuar nga komunizmi, për një popull europian.
Vizat dhe statusi i vendit kandidat për në BE, qysh prej një viti, lakohen me kundërshti, “hiqen s’hiqen”, ndërsa zhvillimi i pritshëm për to, nuk bie beftë si meteor nga qielli - por vjen nga përpjekjet njëzetvjeçare, nisur me kapërcimin mbi rrethimet e ambasadave të huaja, kacavjerjen nëpër litarët e vaporëve të ndryshkur, përdorimin e gomonerive të vdekjes, e, më pas, me forcimin e shtetit ligjor e plotësimin e kushteve teknike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.
Shqipëria, vendi më i mbyllur i Europës, ka qenë “ana e tretë” e Perdes së Hekurt, (perdet sende kanë vetëm dy anë): europianët e Perëndimit lëviznin lirisht përtej perdes, europianët e Lindjes lëviznin këndej perdes, ndërsa komunizmi ortodoks shqiptar, me ideologji dhe klon, i ndryu qytetarët në “anën e tretë” të Perdes së Hekurt, domethënë, as kah Perëndimi kapitalist as kah Lindja revizioniste, por, siç e karakterizonte shtypi i huaj, Shqipëria ishte në një planet tjetër.
Lëvizja e lirë e shqiptarëve, kjo ngjarje e shumëpritur, si nga ata që, një vizë e marrin me vështirësi, dhe nga ata që përparësitë e ndryshme ua lehtësojnë marrjen e vizës, është një përfitim aq i drejtpërdrejtë saç e tillë nuk përjetohet edhe anëtarësimi në NATO e nuk do të ndjehet kësisoj edhe kur të merret statusi i vendit kanadidat për në BE. Të gjitha forcat politike, nuk kanë pasur detyrë më të rëndësishme se sa kjo, për t’u gjendur bashkë në këtë viti të madh të shqiptarëve. Lëvizja jonë e lirë nuk mund të krahasohet e barazohet me lëvizjen e lirë të asnjë populli tjetër, në gadishullin e Ballkanit e në kontinentin e vjetër. Kjo është e thjeshtë të arsyetohet, siç është lehtësisht e shpjegueshme, pse shqiptarët janë populli me proamerikan në Europë. Dy zhvillime të njëkohëshme, heqja e vizave dhe marrja e statusit të vendit kandidat, bëhen aq domethënëse sa, çdo forcë politike duhet të vihet para pyetjes së popullit: Ku duhet të ishte opozita, në vitin përcaktues?
Opozita gjykohet rëndë nga që nuk është aty ku duhet të jetë. Pas 28 qershorit të vitit 2009, si humbëse e vërtetuar e zgjedhjeve, Partia Socialiste duhet të ishte pozicionuar menjëherë në opozitë. Ajo nuk e kreu këtë detyrim demokratik e ligjor, vetëm për shkak të luftës së saj të brendshme, nga trysnia që u bë për dorëheqjen e kryetarit të partisë, për shkak të humbjes së zgjedhjeve dhe në bazë të nenit 28 të statutit. Për të përballuar e dalë fitues në këtë përplasje të ashpër, krahu më i fuqishëm përcaktoi strategjinë dhe taktikën e paszgjedhjeve, duke u mbështetur te figurat e vjetëra: kryetari i partisë të mos dorëhiqet, humbja të mos pranohet. Kjo u përshkallëzua me saktësi ashtu: fillimisht u punua për krijimin e alibisë, me shqiptimin e drojshëm se, “PS nuk i ka humbur zgjedhjet”. Pas tetë muajve u tha troç ajo që spërdridhej atëherë: “PS i ka fituar zgjedhjet”. Gjithë këta muaj, gati një viti i plotë, Partia Socialiste humbëse, nuk bën opozitën në jetën politike të Shqipërisë, por që nga jashtë institucioneve, sillet si fituese e zgjedhjeve. Kjo përbën një dukuri të pandodhur më parë, që forca e dytë politike, e çon vetveten as në opozitë - ku është me vota, as në pozitë - ku s’është me zgjedhje, por shfaqet pa ngurim, hem penguese, hem dëmtuese.
Në vitin e madh të shqiptarëve, opozita nuk luajti rolin e pakicës ndikuese, por bën shumicën e paqenë.
Pas 28 qershort të vitit 2009, kjo forcë politike la kokrrën e namit: bojkotoi Kuvendin atëherë kur Shqipëria dhe shqiptarët, të djathtë e të majtë, të thjeshtë e të rëndësishëm, të kamur e s’kamur, donin e kërkonin mbështetjen e përgjithshme për integrimin e vendit. Por u vërejtë mosdëgjim e pashpirtësi. çdo thirrje e përsëritur, e brendshme dhe ndërkombëtare, është shpërfillur. Kjo kryeneçësi allahoxhiste, nuk ka shoqe për nga dëmtimi i interesave të popullit, pikërisht, atëherë, kur populli gjëndet para hapit historik, për të qenë më pranë ëndërrës së tij europiane dhe bijëve të vet, të shumtë, emigrantë. Ai që nuk quhet më bojkot përbën pjesëmarrje grotesk në Kuvend: shfaqu një orë, mos shko tërë javën. Ligje të domosdoshëm për përshpejtimin e procesit të integrimit presin votën e opozitës - por ajo nuk është aty ku duhet të jetë, për çka dhe ka marrë votat. Opozita që duhet të ishte në Kuvend për zhvillim, është e vetëkurthuar në kuti për pushtet.
Heqja e vizave bëhet mbi bazën e meritës, duke plotësuar kushtet teknike, por vështirë të haset një arsye më përbashkuese, në vitin e madh të shqiptarëve, se sa vajtja krah për krah e pozitës dhe opozitës, në Bruksel. Duke qenë se, Shqipëria përbënte rastin më të veçantë të izolimit të popullit nga bota, me një ideologji marroke e gardhim teli, përpjekjet për heqjen e vizave dhe heqja e tyre, duhet ta kishin bërë opozitën pjesë të korit të kësaj kërkesë dhe pjesëmarrëse në delegacionin shqiptar, Strasburg e Bruksel. Nëse do të kishte vepruar kështu, populli nuk do ta merrte kurrë këtë si zhbërje të opozitës apo mekje të opozitarizmit, madje edhe sikur vetë kryetari i PS t’i bashkëngjitej dërgatës shqiptare në Bruksel, në një zë dhe veprim, pozitë e opozitë, në vend të krizës së sajuar, dhe ashtu, merita do të përpjestohej, prej saj opozita do të delte e përfituar dhe e mbështetur nga zgjedhësit. Por kur pozita shtoi përpjekjet dhe forcoi zërin për të përmbyllur procesin, Partia Socialiste, më një histori bojkoti të kritikuar prej të gjithëve, madje edhe nga brenda vetë partisë, nuk gjëndet atje ku duhet të ishte, as edhe pas bojkotit të dështuar, por kërcënon të dalë në rrugë, në përpjekje për të dëmtuar edhe më shumë me protesta destabilizuese, pikërisht atëherë kur Brukseli merr vendimin. Bashkimi Europian, për heqjen e vizave, nuk ka parasyshë një forcë politike - por shqiptarët, dhe nuk stepet nga bojkotimi hileqar - një javë bojkot, një orë pjesëmarrje, por plotësimin e kushteve që Shqipëria ka kryer, për të merituar të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj.
Në vitin e madh, opozita gjëndet në rrugë për pushtet të parakoshëm, ndërsa duhet të ishte në Bruksel për interesin e gjithë shqiptarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›