Kongresi i Mërzisë së madhe
Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste u kthye në një të zakonshëm. Të vetmen gjë të jashtëzakonshme që kishte ky Kongres socialist ishte prania e medies (pjesën e parë, natyrisht) - pasi në Kongresin e parafundit, Edi Kristaq Rama - për motive të dobëta nuk kishte pranuar gazetarët të ishin prezent. Përpos kësaj e njëjta furi retorike. Gjithsesi nga ky Kongres i jashtëzakonshëm mendohej se do të kishte një debat publik mbi agjendën e PS për të ardhmen dhe reformat, kurse në realitet ishte vetëm një ri-thirrje nën armë. Me një patetizëm grotesk për 5 orë mërzie dhe duartrokitjesh u përkufizua nga kasneci i shiut: “O burra të forcojmë disiplinën e brendshme për zgjidhjen përfundimtare me regjimin”. Lakmia për pushtet i ka verbëruar sytë, kështu që sheh të zezën aty ku është e bardhë, dhe të bardhën aty ku është e zezë.
Kuptohet vetiu ishte vetëm një tjetër podium ku u konfirmua ikona e një lideri me tik totalitarist. Edhe demokracia e brendshme u prek nga viroza e stinës edviniste. Aty, në pallatin kongreseve midis patetizmit të citimit nolian dhe hipokrizisë enveriane u fol për zbatimin e Ligjit, të Kushtetutës, në procesin e Integrimit etj. Duke eliminuar krejt një realitet kur opozita socialiste investonte me të gjithë forcën dhe pa pikë sinqeriteti për 8 muaj me radhë një aksiomë destabilizimi, dhe konferencat për shtyp buçisnin kërcënime permanente ndaj demokracisë, duke zhdoganuar kështu në debatin publik që ligjet të mos zbatohen, që integrimi të mos arrihet kurrë.
Sidoqoftë për kronikë korrekte PS ka prezantuar dhe miratuar para Kongresit një projekt rezolutë të saj, “për nxjerrjen e vendit nga kriza e gjithanshme ku është zhytur”. Mirëpo çuditërisht në këtë projekt-rezolutë prej 16 pikash, të paktën në 10 pika nuk flasin për kërkesa të vendit por të kërkesa të opozitës socialiste. Kush ka durimin mund të marrë projekt-rezolutën dhe të konsultojë problemet që ka opozita, dhe jo vendi. Rezoluta e miratuar shpejt e shpejt pa u konsumuar në debat, por u dha të votohej sikur të ishte nj hartim me 16 paragrafë. Filozofia e rezolutës gjallon të jetë thjesht përligja e pritjes së aleancës së kutive dhe asaj ekonomike deri në protestën e deklaruar të 30 prillit.
Afërmendsh misioni politik i një partie, gjithmonë sa ka pasur parti demokratike, ka qenë përforcimi i një ideje. Por Edi Kristaq Rama dallon për nga dëshira e mos-pasjes së një partie, por të një organizate elektorale që mund t’i japi Atij dhe enturazhit të tij sa më shumë para, famë dhe dashuri. Egoizmi i shfrenuar për ekzibicionizëm, për të treguar me vanitet se kë prerje intelektuali apo artisti dëftehet edhe në grabitjen e citateve të Fan Stalian Noli. Krye-socialisti Edi Rama nuk e adhuron Nolin, por simbolikën e të ashtuquajturin “Revolucion i Qershorit”, që në të gjitha manualet e interpretimit historik emërtohet si “grusht shteti”.
Këtë linjë të marrjes së pushtetit me dhunë Edi Rama e paraqiti si platformë para dy ditësh në Korçë, ku bashkë me Spartak Ngjelën i frynë tezave të “revolucioneve” permanente. Përmes britmash para elektoratit të majtë Korçar, duke pasur në krah kryetarin e PS-së, Edi Rama, aspirant Robespieri: Ngjela paralajmëroi shkatërrim të qeverisë së djathtë, duke ftuar që të bëhen pjesë e këtij rebelimi edhe qytetarët e Korçës.