Berisha: Buxheti i vitit 2009 do t’i garantojë Shqipërisë stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike më të madhe në rajon
Kryeministri Berisha u shpreh se buxheti i vitit 2009 është buxheti më i madh i historisë së vendit dhe kap shifrën 5 miliard dollarë
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme mori në shqyrtim projekt - buxhetin për vitin 2009. Kryeministri Berisha duke prezantuar projekt buxhetin u ndal në drejtimet kryesore të tij si shëndetësia, arsimi, rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetjen e fermerëve shqiptarë, mbrojtja dhe zhvillimi i pasurive të mëdha kulturore të vendit, zgjerimi i veprimtarisë diplomatike dhe përfaqësimit diplomatik, mbështetja e investimeve për nismën “Shqipëria në moshën dixhitale”, etj..
Kryeministri Berisha u shpreh ky është buxheti më i madh në historinë e vendit dhe do t’i garantojë Shqipërisë stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike më të madhe në rajon. “Ky është buxheti më i madh në historinë e vendit. Në qoftë se buxheti i vitit të tretë të qeverisjes arriti në 4 miliardë dollarë, ky buxhet është rreth 5 miliardë dollarë dhe i jep vendit mundësi të madhe për ndërtim dhe ndryshim”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke u ndalur në investimet në infrastrukturë, Kryeministri u shpreh se “ky buxhet do t’i garantojë Shqipërisë investime të mëdha publike si: -përfundimin e rrugës Morinë-Durrës, veprën e shekullit për Shqipërinë; -përfundimin e rrugës së Bregut; -përparimin në ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë; -avancimin e punimeve në rrugën Levan-Tepelenë; -avancimin e madh të punimeve në rrugën Konispol –Sarandë; - fillimin e punimeve të autostradës Qafë Plloçë- Qukës; -përfundimin e punimeve të autostradës Milot – Fushë Krujë, më katër korsi, si pjesë e aksit Durrës-Morinë; -fillimin e punimeve dhe avancimin e tyre në aksin Shkodër- Hani i Hotit; -fillimin e punimeve për rrugën Bogë-Theth; -vazhdimin e punimeve në rrugën e Arbrit në segmentin Bulqizë- Klos, por me përfundimin e projektit do të nisë dhe segmenti Tiranë- Shkallë e Tujanit- Klos; -vazhdimin e punimeve Stërblevë- Peshkopi, Peshkopi - Kala e Dodës, Kukës –Kala e Dodës, Kanë- Krumë, Krumë –Kukës; -përfundimin e punimeve Korçë- Prespë; Elbasan-Gjinar; -fillimin dhe vazhdimin e punimeve të njëmbëdhjetë rrugëve në njëmbëdhjetë qarqet e vendit”.
Kryeministri Berisha theksoi se viti i katërt i mandatit qeverisës do ta gjejë rrjetin rrugor të vendit tërësisht të ndërtuar, si dhe në ndërtim e sipër. “Është e mundur plotësisht që pas përfundimit të projektit dhe studimit të fizibilitetit të nisin dhe segmentet rrugorë në boshtin e jugut, segmenti Kuçovë-Cërrik, bypass-i i Durrësit dhe Shkëmbi i Kavajës-Rrogozhinë. Ky buxhet i jep përgjigjen më të shkëlqyer ndërtimit të infrastrukturës rrugore të vendit”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri nënvizoi se buxheti i vitit 2009 do të përqendrohet dhe në investime të tjera të mëdha si ndërtimi i ujësjellësve, kanalizimeve, shkollave, përfundimin e spitaleve që janë në ndërtim, etj..
Nga 3000 projekte që u gjetën në buxhetin e vitit 2005, në këtë buxhet përfshihen më pak se 1000 projekte
Në vijim të diskutimit të projekt-buxhetit për vitin 2009, Kryeministri Berisha u shpreh se një specifikë e veçantë e këtij buxheti është përqëndrimi i tij në projekte të rëndësishme më shumë dhe shmangia e fragmentarizmit absurd që i bëheshin parave taksapaguesve shqiptarë në mijëra e mijëra projekte. “Specifika e këtij buxheti qëndron në përqendrimin e tij në projekte të rëndësishme më shumë se çdo vit tjetër. Qeveria i dha fund praktikave të fragmentimit absurd në mijëra e mijëra projekte, të parave taksapaguesve shqiptarë”, u shpreh Kryeministri.
Në këto tre vjet qeveria u ka dhënë qeverive vendore më shume se qeveritë socialiste në 2001-2004
“Ky buxhet bën të mundur rritjen me 37 përqind të financimit të qeverive vendore nga qeveria qendrore. Mund t’ju them se vetëm në vitin 2009 ne japim nga buxheti qendror më shumë sesa ç’kanë dhënë qeveritë socialiste në vitet 2001-2004. Në një vit ne japim aq sa kanë dhënë ato qeveri në katër vjet. Kjo përbën një risi madhore në procesin e decentralizimit”, u shpreh Kryeministri.
Lufta kundër korrupsionit, kontrabandës, informalitetit dhe evazionit fiskal bëri të mundur buxhetin më të madh të të gjitha viteve.
Duke i’u referuar vlerës së buxhetit për vitin 2009, e cila arrin në rreth 5 miliardë dollarë, Kryeministri Berisha u shpreh se ky buxhet është bërë i mundur si rezultat i reformave shumë të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria.
“Para së gjithashtu, ky buxhet u bë i mundur si rezultat i reformave shumë të rëndësishme që ne kemi ndërmarrë. Buxheti u bë i mundur sepse për tre vjet rresht, ne, si asnjë vend tjetër, kemi rritur të ardhurat me 22 përqind. Këto nuk u bënë të mundura nga ndonjë burim i papritur gazi apo nafte në territorin e vendit tonë, por u bënë të mundura nga një ‘bum’ real i tregut dhe luftë me paanësi të madhe ndaj kontrabandës, evazionit dhe informalitetit. Në tregun shqiptar, në këto tre vitet e fundit, kanë hyrë 460 mijë ton më shumë se në tre vite më parë. Në doganat shqiptare, në sajë të luftës kundër kontrabandës, janë ç’doganuar rreth 350 mijë ton të tjera më shumë. Rreth 810 mijë ton naftë ka qenë ç’doganimi total që ka bërë qeveria e mëparshme në tre vite, kundrejt 1160 mijë ton të bëra në këto tre vitet e fundit, të cilat janë bërë edhe duke prodhuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha u ndal në luftën kundër kontrabandës. “Po kështu në luftën kundër kontrabandës, në rast se në tre vitet e mëparshme u ç’doganuan rreth 11 mijë ton kafe, gjatë këtyre tre viteve të fundit ç’doganim i kafesë ka arritur në 18 mijë ton. Në total të ardhurat nga akcizat, nga 37 miliardë që ishin në vitet e kontrabandës, kanë arritur pothuajse në 90 miliardë në vitet e anti- kontrabandës”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se të gjithë ata që kanë nocionet bazë ekonomike e kuptojnë se çdo të thotë të rriten të ardhurat nga një vit në tjetrin me 22 përqind.
“Kjo nuk vjen me rritjen e taksave, por me uljen më të madhe të tyre në Evropë. Pra, është kjo disiplinë fiskale që ka bërë që për 2009 të mund të parashikohet buxheti më i madh dhe më i suksesshmi në historinë e vendit”, u shpreh Kryeministri.
Në vijim të prezantimit të projekt-buxhetit për vitin 2009, Kryeministri Berisha u ndal dhe në disa zëra të tjerë të tij si shëndetësia, arsimi, mbështetjen e fermerëve shqiptarë, mbrojtja dhe zhvillimi i pasurive të mëdha kulturore të vendit, zgjerimi i veprimtarisë diplomatike dhe përfaqësimit diplomatik, mbështetja e investimeve për nismën “Shqipëria në moshën dixhitale”, etj..
Duke folur për rëndësinë që kanë reformat në sistemin e shëndetësisë Kryeministri u shpreh se “buxheti i këtij viti do të mbështesë fuqishëm reformën në sistemin e shëndetësisë. Institutit të Sigurimeve Shëndetësore do të shtrijë aktivitetin me blerjen e shërbimeve nga institucionet tona shëndetësore publike, për të bërë hapin e parë dhe për të kaluar pastaj në blerjen e shërbimeve nga institucionet private”.
Një drejtim shumë i rëndësishëm i këtij buxheti, u shpreh Kryeministri, është mbështetja e institucioneve të zbatimit të ligjit, për të përmbushur më mirë detyrat e tyre.
Kryeministri u shpreh se buxheti për vitin 2009 shoqërohet me rritje të dukshme për investime në infrastrukturën e institucioneve të vuajtjes së dënimit, infrastrukturën e institucioneve gjyqësore dhe të sistemit të drejtësisë. Më tej, Kryeministri theksoi se “ky buxhet lejon rritjen e madhe të investimeve për nismën “Shqipëria në moshën dixhitale” në të gjitha sektorët. Po ashtu arsimi mbetet një përparësi madhore. Buxheti për vitin 2009 do të shoqërohet me rritje të ndjeshme për mbështetjen e fermerëve shqiptarë dhe të projekteve për mbrojtjen e mjedisit. Mbrojtja dhe zhvillimi i pasurive të mëdha kulturore të vendit, trashëgimisë së madhe kulturore, veprimtarive kulturore dhe sportive është gjithashtu një risi tjetër e buxhetit. Mbështetje në këtë buxhet gjen zgjerimi i veprimtarisë diplomatike dhe përfaqësimit diplomatik të vendit me hapjen e disa ambasadave të reja”.
Në tre vjet dyfishohen pagat e 44 mijë arsimtarëve dhe 14 mijë infermierëve. Po ashtu, dyfishohen pensionet në fshat dhe rriten me 10 përqind pensionet në qytet
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh se buxheti i vitit 2009 realizon të gjitha premtimet për rritjen e pagave dhe pensione.
“Me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm të 44 mijë arsimtarët shqiptarë do të ndjejnë dyfishimin e rrogave. Po ashtu, me shtesën që do t’i bëhet vitin e ardhshëm 14 mijë infermierët shqiptarë do të kenë dyfishim të pagave”, u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se nëpërmjet këtij buxheti zhvillohet një politike sociale konstante. “Pensionistët në qytet do të kenë një rritje të ndjeshme të pensionit me 10 përqind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje me 20 përqind, rritje kjo që garanton dyfishimin e pensioneve të tyre. Përfundimisht, pësojnë rritje të gjitha pensionet e natyrave të ndryshme, si dhe ndihma ekonomike. Rritja e pagave gjatë vitit të ardhshëm, e cila bëhet e mundur sërish ë sajë të miradministrimit, administrata shtetërore do t’u peshojë taksapaguesve shqiptarë gjithsej 6. 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit dhe ky është tipar i qeverive të vogla”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri theksoi se e “të ardhurat janë ato që bëjnë të mundur këtë politikë të stabilitetit ekonomik dhe të rritjes makro-ekonomike, të investimeve më të mëdha në historinë e vendit dhe të rritjes më të madhe të pagave se çdo periudhë e mëparshme”.
...