E Diel, 1 Nëntor 2026

Programet Master, javën e ardhshme listat e plota të fituesve

Universiteti i Tiranës: Programet master në mësuesi nisin në 10 nëntor Universitetet publike pritet të shpallin javën e ardhshme listat e plota të fituesve që kanë konkurruar në programet e studimit të ciklit të dytë dhe Master i nivelit të parë. Nga informacionet e marra në universitetet e Tiranës, mësohet se shpallja e listave të fituesve do të kryhet pranë sekretarive mësimore të këtyre universiteteve dhe lista e plotë e të pranuarve, do të afishohet në një vend të dukshëm në fakultet. Sipas burimeve nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, ai i Historisë dhe Filologjisë, si dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, pritet t’i kenë gati listat e fituesve në fillim të javës së ardhshme. Një vendim të Këshillit të Ministrave për programet master, i detyron të gjitha departamentet universitare, që të paktën 30 për qind të studentëve të ciklit të dytë, të përzgjidhen nga degët e tjera universitare. Kështu, jo më shumë se 7 në 10 studentë do të përzgjidhen nga dega respektive e diplomimit. Të dhënat e MASH tregojnë se janë miratuar 77 diploma të nivelit të dytë dhe 46 mastera të nivelit të parë. Këto programe studimi kanë rreth 4110 kuota të përcaktuara. Programet dhe kuotat për studimet Master të nivelit të parë në mësuesi për arsimin e mesëm në Fakultetet e Gjuhëve të Huaja, të Histori-Filologjisë dhe në Shkencat e Natyrës të Universitetit të Tiranës, do të nisin në 10 nëntor, sipas Universitetit të Tiranës (UT). Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për Master për gjuhën angleze do të përfitojnë 180 studentë, për atë frënge 80 studentë, për gjuhën gjermane 80 studentë dhe për gjuhën italiane 120 studentë. Në përfundim të programeve, do të lëshohet diplomë master i nivelit të parë, "MNP", në mësuesi, për arsimin e mesëm për këto gjuhë. Fakulteti Histori-Filologji do të ketë program Master në lëndët "Gjuhë-Letërsi" për 120 studentë, "Histori" për 100 studentë dhe "Gjeografi" për 100 studentë, ku në përfundim të të cilit lëshohet diplomë master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për arsimin e mesëm. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës programe master do të ketë për "Kimi" për 30 studentë,"Biologji" për 60 studentë, "Fizikë" për 60 studentë dhe "Matematikë" për 40 studentë, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi. Programet e studimeve Master të nivelit të parë, me kohëzgjatje 1 vit, në mësuesi për arsimin e mesëm, do të realizohen me 60 kredite. Për kandidatët që do të fitojnë studimet Master dhe që janë me probleme, si: të verbër, të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë, të policëve të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të ish-të përndjekurve politikë, do të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit. Ndërsa studentët e shkëlqyer të ciklit të parë dhe të dytë, nuk do të paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›