Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka: Strategjia Ndërsektoriale e Përfshirjes do të thellojë mbështetjen e grupeve në nevojë
Strategjia Ndërsektoriale e Përfshirjes Sociale (SNPS) 2007-2013, një dokument që synon planifikimin e politikave sociale për grupet në nevojë dhe përfshirjen e tyre në procesin e zhvillimit, do të zbatohet duke u monitoruar me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuar për Zhvillim, (PNUD). Ministria e Punës në bashkëpunim me Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj pranë Kryeministrisë dhe me mbështetjen e PNUD-it, nisi sot punën për krijimin e kuadrit monitorues të SNPS-së. “Kuadri monitorues do të identifikojë aktorët kryesorë, përgjegjësitë respektive të tyre, në zbatimin dhe monitorimin e kësaj strategjie, që do të veprojë deri në vitin 2013”, tha Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, i pranishëm në këtë mbledhje të parë të organizuar për këtë qëllim në mjediset e hotel Rogner në Tiranë. Ai theksoi se monitorimi i SNPS-së është një proces i rëndësishëm, pasi ajo është dokumenti ndërsektorial bazë i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI). “Si e tillë, SNPS është krijuar mbi bazën e një plani kundër varfërisë dhe përjashtimit social të vendeve të BE-së dhe Shqipërisë si kandidate e ardhshme e saj, do t’i nevojitet të paraqesë një plan të ngjashëm”, theksoi Sulka, i cili e konsideroi SNPS-në një dokument të domosdoshmë në rrugën që Shqipëria ka nisur për integrimin e saj në BE dhe në përmbushjen e e Objektivave të Zhvillimit të Mileniumit. Mbështetja e grupeve në nevojë është një prioritet i qeverisë, e cila në programet e saj i ka kushtuar një rëndësi të veçantë reduktimit të varfërisë, element kyç të përfshirjes sociale, jo vetëm përmes zhvillimit ekonomik. “Reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale ka ndikuar drejtpërsëdrejti në reduktimin e varfërisë, falë dhe një identifikimi më të saktë të familjeve dhe individëve në nevojë”, vlerësoi Sulka. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës në 2008 trajtohen me ndihmë ekonomike rreth 93 mijë familje, nga 120 mijë në 2005, një tregues ky se niveli i varfërisë është ulur me 22.5%, ndëkohë që fondi për ndihmën ekonomike gjatë vitit 2008 u rrit me 34%, nga 2.6 miliard në 2007 në 3.5 miliardë këtë vit. Në 18 vitet e demokracisë, në korrik të këtij viti, u indeksua pagesa e ndihmës ekonomike me 10%, e cila pritet të ndikojë në zbutjen e mëtejshme të varfërisë, ndërsa masa mesatare e ndihmës ekonomike për familje në vitin 2008 është dyfishuar në krahasim me vitin 2006. ...