E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Davutoglu: Shqipëria arritje të mëdha falë reformave të qeverisë

06-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha zhvillon një mëngjes pune me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoğlu
 
Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu. Kryediplomati turk vlerësoi se Kryeministri Berisha ndodhet në një vend mik të vërtetë dhe të gjithë kanë kënaqësinë ta mikpresin në Turqi. Në këtë kontekst, ministri Davutoğlu e uroi Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Më tej, ministri Davutoğlu vlerësoi arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, në veçanti performancën e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se ekonomia shqiptare, falë politikave dhe reformave të suksesshme të qeverisë, i ka qëndruar kësaj kohe të vështira për ekonominë globale.  
Kryeministri Berisha e falenderoi ministrin Davutoğlu për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve, bazuar në miqësinë e gjatë tradicionale midis të dy popujve. Në veçanti, u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Erdogan, në konsolidimin e mëtejshëm të kësaj tradite të shkëlqyer dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të frytshëm midis të dy vendeve.
Ne takim u vlerësua rritja e madhe e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve, gjatë këtyre 5 viteve, e cila ka kapërcyer vlerën e 400 milionë dollarëve dhe e investimeve turke në Shqipëri, të cilat i kanë kapërcyer një miliardë dollarë, çka dëshmon për besimin që investitorët dhe biznesi turk kanë në ekonominë shqiptare dhe politikat e qeverisë, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznes e investime.
Ministri Davutoğlu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptarë në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare.
Kryeministri Berisha e falenderoi ministrin Davutoğlu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për t’i përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptareve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer që të dy vendet kanë ndërtuar në fushën e sigurisë dhe në kuadër të NATO-s, si edhe u theksua roli i rëndësishëm, strategjik e i moderuar që Shqipëria ka luajtur në vijimësi në dobi të forcimit të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›