LSI: Edi Ramën e kemi lënë në rrugën e humbjes

Meta: Të rifitojmë kohën e humbur drejt integrimit në BE
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në konferencën zgjedhore të LRI-së në Fier. Gjatë fjalës së tij, Meta shpalosi prioritet e LSI-së për mbështetjen e rinisë, arsimit, punësimit por edhe profesionalizmit. Sipas tij, një tjetër hap i rëndësishëm do të ishte rifitimi i kohës së humbur në rrugën drejt Bashkimit Europian. “Është koha për të fituar edhe atë kohë që është humbur me pa të drejtë sepse nuk mund të pranojmë që të mos respektojmë kohën, ajo është më e çmuar dhe më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër sepse çdo minutë e humbur është një cenim i të gjithë interesave tuaja dhe të të gjithë të rinjve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga Fieri ne i ftojmë të gjithë politikanët që të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive sepse vendi ka nevojë për vendime të të rëndësishme, ka nevojë për përgjegjësi të përbashkëta në këto moment kur bota, Europa dhe rajoni janë të tronditur nga një krizë mjaft serioze ekonomike dhe financiare”- ka theksuar Meta. Meta i ka bërë apel politikës shqiptare tu përgjigjen aspiratave shqiptare, duke lënë mënjanë interesat partiake. “Në këto momente Shqipëria nuk duhet të penalizohet më tej për shkak të interesave të ngushta partiake të cilitdo. Ndaj LSI do të vazhdojë të përqendrojë të gjithë energjitë e saj në prioritetin madhor të përshpejtimit të integrimit europian të vendit sepse kjo është një aspiratë e të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë aspirata e brezit të ri, e gjeneratave të ardhshme”- shtoi ai.
Sipas Metës, respektimi i rregullave nga shqiptarët pas liberalizimit të vizave tregoi se jemi qytetarë të denjë europianë.
Sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama gjatë një interviste për Radion Europa e Lirë se nuk do të ketë koalicion me këtë forcë politike në zgjedhjet e 2013-ës. Gjatë një aktiviteti të LSI-së në kryeqytet, sekretari i përgjithshëm i saj Luan Rama ka theksuar se destruktiviteti i kryesocialistit Rama është ndëshkuar më herët nga vota e qytetarëve. “Ne nuk e kemi mendjen se ç`thotë Rama, vëmendja dhe energjitë tona janë për integrimin. Edi Rama ka zgjedhur të humbë, le të vazhdojë në këtë rrugë. Destruktiviteti i tij është ndëshkuar nga vota e qytetarëve”- ka theksuar ai. Duke e cilësuar kreun e PS-së si humbës Luan Rama theksoi se ai do ta mbajë humbëse Partinë Socialiste. Ndërkohë ditën e djeshme në një intervistë për Radion Europa e Lirë, kreu i PS-së Edi Rama mohoi se do të ketë koalicion me LSI-në. “LSI-ja është pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne nuk shohim asnjë dallim që të na bëjë të mendojmë çfarëdo skenari tjetër, përveç skenarit të marrjes së të gjitha votave të popullit shqiptar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të më shumë se 71 mandateve për të qeverisur Shqipërinë, si alternativë e këtij koalicioni me një ofertë shumë të qartë - ose një rilindje shqiptare ose një rrënim i mëtejshëm me këtë koalicion, ku edhe LSI-ja është pjesë integrale”- theksoi dje Edi Rama gjatë një interviste për Radio Evropa e Lirë.