E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, faktor i bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon”

06-04-2012 / Gazeta 55

Berisha – Çiçek Në vijim të vizitës dy ditore në Turqi, kryeministri Berisha takoi dje kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek. Kryeparlamentari turk pasi i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë për këtë vizitë, pohoi marrëdhëniet e ngushta miqësore e vëllazërore midis të dy vendeve e popujve dhe angazhimin e palëkundur për t’i zgjeruar e thelluar ato në të ardhmen. Në këtë kontekst, Çiçek i shprehu Kryeministrit Berisha, mirënjohjen për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në konsolidimin e këtyre marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis të dy vendeve e qeverive. Kreu i qeverisë shqiptare i shprehu Çiçek mirënjohjen për kontributin e madh të parlamentit turk, me qindra e qindra dokumente që ai ka miratuar gjatë kësaj periudhe, në mbështetje të Shqipërisë dhe të konsolidimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve e kombeve. Në takim i rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t’i promovuar edhe më tej lidhjet e pafundme mes të dy popujve e vendeve dhe për ta çuar në një stad të ri edhe me intensiv bashkëpunimin në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, u vlerësua rritja madhe e investimeve turke në Shqipëri, gjatë 5 viteve të fundit dhe u rikonfirmua vullneti për t’i nxitur edhe më tej ato, çka do t’i shërbejë jo vetëm suksesit të biznesit turk në Shqipëri, por, para se gjithash e mbi të gjitha, interesit të qytetarëve shqiptare, si dhe zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare, e cila gjatë kësaj periudhe ka shënuar një ecuri shumë pozitive, në dallim nga trendi europian e më gjerë. Kryeministri Berisha i shprehu Çiçek dhe parlamentareve turq mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e pakursyer që ata, parlamenti, qeveria turke dhe Turqia mike i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Çiçek vlerësoi se Shqipëria, me politikat e saj të drejta e të moderuara, është shndërruar në një faktor i rëndësishëm promovues i stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›