Anëtarësimi në NATO, Maqedonia kërkon mbështetjen e Shqipërisë në samitin e Chicagos

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli përfundoi vizitën në Maqedoni. Topalli - Ivanov: Angazhim të përbashkët për një rajon, pjesë të familjes evropiane
Në vijim të vizitës zyrtare në Maqedoni, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe delegacioni që e shoqëronte, u prit në një takim nga Presidenti George Ivanov. Presidenti Ivanov e cilësoi këtë vizitë të Kryetares së Kuvendit si shenjë e lidhjeve të ngushta që dy vendet kanë me njëra-tjetrën, si shembulli më i mirë i fqinjësisë. “Dy vendet tona janë të afërta me njëra-tjetrën, ne kemi dëshmuar se marrëdhëniet miqësore po i ngremë në të gjitha nivelet. Gjatë historisë, vendet tona kanë qenë pa kufij dhe sot këto kufij, përmes bashkëpunimit ekonomik, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe bizneseve, i kemi shndërruar në kufij të parëndësishëm e jo domethënës”, u shpreh Presidenti Ivanov. Sfidat që po kalojmë, tha kryetarja e Kuvendit, janë momentet e shanseve të mëdha, momentet e zhvillimit. “Prania e Maqedonisë në nismën Adriatiko-Joniane është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është që në këtë nismë të jetë edhe prania e Kosovës”, tha Topalli. Kryetarja Jozefina Topalli tha se prioriteti kryesor, integrimi në BE, është angazhim i përbashkët dhe një objektiv që bashkon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të punuar fort për shndërrimin e një rajoni, pjesë të familjes evropiane. “Është koha e projekteve të mëdha të integrimit. Koha kërkon intensifikimin e bashkëpunimit përmes projekteve ambicioze që do të zhvillojnë gjithë rajonin. Unë jam i bindur që nëse ne, e bëjmë rajonin më të hapur, ky rajon do të jetë më i begatë për të gjithë”, u shpreh Presidenti Ivanov. Në vijim, Kryetarja e Kuvendit tha se infrastruktura rrugore është një ndër objektivat kryesore të qeverisë shqiptare, ku pas Rrugës së Kombit, janë duke u realizuar projekte madhështore si Rruga e Arbrit, rruga Tiranë-Elbasan etj. “Ne jemi të bindur dhe i kemi të gjitha potencialet që përmes ritmit të pandalshëm të reformave do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend të zhvilluar”.
Anëtarësimi në NATO, Maqedonia kërkon mbështetjen e Shqipërisë në samitin e Chicagos
“Shqipëria mbështet përpjekjet dhe aspiratën e Maqedonisë për anëtarësimin në NATO”. Kështu u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski. Kryeministri maqedonas shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria i ka dhënë Maqedonisë ndaj këtij procesi ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e mira politike mes Shkupit dhe Tiranës, të cilat, tha ai, i përgjigjen sot me një dinamizëm të shkëlqyer bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera. “Unë konstatoj me kënaqësi dinamikën e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve, por se projektet e përbashkëta, të shprehura edhe përmes bashkëpunimit ekonomik kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e mbarë rajonit. Një nga prioritetet e Maqedonisë mbetet anëtarësimi në NATO dhe ne kërkojmë mbështetjen tuaj në këtë proces të rëndësishëm, të cilin ne e nisëm së bashku me Shqipërinë”, tha Kryeministri Gruevski. Ne, tha Kryetarja Jozefina Topalli si dy vende mike ndajmë të njëjtat vlera e objektiva për integrimin. “E ardhmja jonë e përbashkët është e pazgjidhshme, integrimi NATO dhe BE”. Gjatë takimit, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri Gruevski vlerësuan projektet e përbashkëta infrastrukturore rrugore, ato të linjave të internjeksionit, projekte energjetike ato të transportit, shkëmbimet tregtare përmes Portit të Durrësit, apo turizmi do të krijojnë lidhje sa më të afërta midis dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit u ndal tek projekti madhor i qeverisë shqiptare, ai i ndërtimit të Rrugës së Arbrit, e cila do ta bëjë bashkëpunimin dhe afrimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë edhe më dinamik.
...