E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Debatet për historinë po nxjerrin në pah të vërtetat e fshehura

26-09-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet mbledhja e Komitetit Shtetëror për 100 vjetorin e Pavarësisë. “Ky përvjetor, vit reflektimi për të ardhmen”, thotë shefi i ekzekutivit, duke vlerësuar përfshirjen në agjendën e kremtimeve të kësaj kryengjarjeje, të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe diasporës
 
Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u zhvillua dje pasdite mbledhja e Komitetit Shtetëror për 100 vjetorin e Pavarësisë, i cili analizoi ecurinë e projekteve të përcaktuara për këtë 100 vjetor, shqyrtimin e veprimtarive që do të ndërmerren me këtë rast, si dhe përcaktimin e disa rregullave dhe qëndrimeve, të domosdoshme në kremtimet e 100 vjetorit.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën e koordinuar dhe përpjekjet serioze, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha trojet etnike shqiptare, si në diasporë dhe vende të tjera, kudo që ka shqiptarë, për të kremtuar në mënyrë sa më dinjitoze 100 vjetorin e pavarësisë.
Sipas shefit të ekzekutivit, ecuria e përgatitjeve është shoqëruar nga një debat i vazhdueshëm dhe i larmishëm për të gjitha problematikat në tërësi, ose të disa problematikave në veçanti, debat të cilin kryeministri e vlerësoi se i ka shërbyer nxjerrjes në pah të disa të vërtetave të ndaluara apo të vërtetave të mëdha historike të mohuara. “Në tërësi është bërë një punë, e cila ka synuar të jetë përfshirëse në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe kjo është  aspekti më pozitiv. Ka një përpjekje shumë serioze të shqiptarëve në Kosovë, të shqiptarëve në Maqedoni, të shqiptarëve në Mal të Zi, por dhe të shqiptarëve në diaspore dhe vende të tjera për të shënuar këtë krye-ngjarje, 100 vjetorin e pavarësisë. Ndërkohë ka pasur një debat të vazhdueshëm, të larmishëm mbi të të gjithë problematikat, ose të disa problematikave në veçanti, një debat i pashmangshëm për shkak të një trashëgimie, jo të favorshme në qëndrimet ndaj historisë, por në tërësinë  e tij gjykoj se debati në tërësinë e tij i ka shërbyer në mënyrë të padiskutueshme nxjerrjes në pah të disa të vërtetave të ndaluara, të disa të vërtetave të mëdha historike të mohuara, të disa të vërtetave të deformuara. Debati është një proces në vazhdim, dinamik që nuk ndalet kurrë. I konsideruar në lashtësi si mjeti kryesor për të qëmtuar të vërtetën, prapë ai ruan vlera të mëdha”, u shpreh Berisha.
Kryeministri i bëri thirrje edhe qeverive vendore të bashkëpunojnë në kremtimet e 100 vjetorit, ndërsa ka kërkuar prej tyre të nderojnë figurat historike në qytetet që drejtojnë, qoftë me ndërtime bustesh apo forma të tjera alternative. Ai ka kërkuar bashkëngjitjen e grupeve të reja shtesë, për të pasur një festim sa më dinjitoz të këtij përvjetori jubilar. “Ftoj të gjitha qeveritë vendore, ka një seri kërkesash dhe unë i mirëkuptoj, por mendoj se është në tagrin dhe nderin e qeverive vendore që përfaqësuesit e tyre në Vlorë ti nderojnë figurat, ti nderojnë me buste, me statuja, si ta gjykojnë dhe do të kenë vetëm përgëzimin e qeverisë, dhe në rast nevoje ndonjë mbështetje modeste, por është në detyrimin e tyre që përfaqësuesit  e tyre ne Vlorë, atyre që firmosën dokumentin e pavarësisë apo dhe ne raste të tjera, ti nderojnë. Ne mbështesim plotësisht, sikundër do të ishte e gabuar që figura, të cilat janë nderuar në mënyrë konstante, të bëjnë sikur nuk janë nderuar. Mendoj se kemi hyrë në një fazë ku duhen disa grupe të reja të bashkëngjiten këtij komiteti, grupe që do të sjellin ekspertizën e tyre në fushat e përcaktuara dhe të ecim të sigurt drejt një kremtimi dinjitoz së bashku me miqtë tanë, për të cilët duhet t ë përpiqemi të bëjmë edhe më shumë sepse në tërësinë  e vet, çdo popull shkruan historinë e tij. Kështu e kanë shkruar dhe shqiptarët me faqe të ndritura dhe faqet në hije, në universin e historisë kjo, por natyrisht pa mëdyshje miq të shquar, njerëz që e deshëm me pasion dhe me shpirt këtë komb, kanë dhe ata meritat e tyre të mëdha, njerëz të cilët kanë sakrifikuar jetën në mbrojtje të çështjes së drejtë dhe mendoj se është e domosdoshme një vështrim më konkret i rolit të tyre. Pra le të vazhdojmë ne duke intensifikuar aktivitet dhe të ecim drejt një festimi dinjitoz të këtij përvjetori që më shumë se çdo gjë tjetër duhet të na shërbejë për të parë drejt së ardhmes. Historia në çdo rast dhe veçanërisht një bilanc si ky nuk mund të kenë qëllim tjetër vetëm vështrimin, vizionin, projektimin drejt së ardhmes, ndaj dhe përpiqemi ta shndërrojmë siç kemi bërë deri më sot, këtë vit jubilar në një vit reflektimi të thellë për të ardhmen tonë”, deklaroi ai.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›