Fokus/Çekia dhe Sllovakia mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE
“Republika çeke vlerëson progresin e arritur nga Shqipëria vitet e fundit dhe mbështet perspektivën e saj për integrimin në BE”. Kështu u shpreh dje ministri i Jashtëm i Republikës çeke, Karel Schwarzenberg, gjatë një takimi të zhvilluar me Edmond Panaritin, në kuadër të punimeve të asamblesë së përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.
Në takimin mes dy ministrave biseda u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në ecurinë e procesit të reformave që janë ndërmarrë në vend në kuadër të zbatimit të 12 kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Ministri çek i vlerësoi si shumë pozitive zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe bashkëpunimin ndërmjet forcave politike për arritjen e konsensuseve të nevojshme për përmbushjen e kritereve për marrjen e statusin kandidat. Ai siguroi homologun shqiptar për mbështetjen e plotë të Republikës Çeke për integrimin e Shqipërisë në BE.
Më tej, bashkëbiseduesit u ndalën rreth zhvillimeve në rajon dhe rolit të Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti. Të dy ministrat ndanë të njëjtin mendim se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, shprehu vullnetin për intensifikimin e dialogut politik përmes shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë.
Panariti e njohu bashkëbiseduesin me punën e kryer për të përmbushur 12 rekomandimet e bëra nga Komisioni Evropian, si dhe kërkoi mbështetjen sllovake për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi mundësitë dhe potencialet që ekzistojnë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus të veçantë sektorin ekonomik. Gjithashtu, kryediplomati shqiptar zhvilloi një takim në Nju Jork edhe me homologun e tij zviceran, Didier Burkhalter.
Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe theksua rëndësia e thellimit të dialogut politik të nivelit të lartë, i cili do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimit të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh në fusha me interes të ndërsjellë.
Ministri Panariti shprehu mirënjohjen për asistencën në vazhdimësi që Zvicra i ka ofruar Shqipërisë me projekte e programe që synojnë zhvillimin ekonomik të vendit.