E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Debati për godinën e SHQUP, për të shmangur premtimet e pambajtura të Ramës

dokuKryeministri në largim, Sali Berisha, është përfshirë në një debat me fansat e tij në Facebook, duke replikuar me ta veçanërisht për debatin mbi marrjen e godinës së SHQUP nga PD-ja. Berisha thotë se ky debat është nxitur nga Rama, për të shmangur premtimet e pambajtura, edhe pse ai ende nuk ka ardhur në krye të qeverisë.

Nuk jemi ne, por është vetë piktori dhe neobllokmenët e tjerë qe merren çdo ditë me një urrejtje të papërmbajtur, me një ndërtesë e cila prej 12 vitesh përdorej për dasma dhe ceremoni mortore dhe që qeveria vendosi të ia japë në përdorim për seli PD. Por, nga ana tjetër, me këtë zhurmë armiqësore ndaj PD, Piktori mendon se mund të largojë mendjen e qytetarëve nga premtimet e tij antiglobaliste, si shërbimi shëndetësor falas pa kontribute shëndetësore, ulja e taksave për 95% të shqiptarëve, ulja e çmimeve, heqja e TVSH për energjinë, ushqimet, ilaçet etj etj. Me këto premtime, Piktori mori votat e shqiptarëve dhe, pa filluar punë, po i mohon ato. Por një komb nuk do pranojë kurrë mashtrimin, shqiptarët do të reagojnë njëlloj si kombet e tjera të qytetëruara, replikon Berisha me një prej fansave të tij në Facebook.

Më tutje, ai thotë se Edi Rama është provuar si një njeri i korruptuar. Ndryshe nga Rama, Berisha thotë se për të nuk është vërtetuar asnjë akuzë për korrupsion.

Piktori është shumë i provuar, fillimisht si ministër i F.Nanos, të cilit shoqëria civile, opozita dhe vetë ministra të PS, konkretisht zj.Dade, i kanë dorëzuar jo një, por disa dosje në Prokurori për korrupsion. Piktori është i provuar si kryetar Bashkie i Tiranës, ku 80% të lejeve të ndërtimit ua jepte dy sekserëve të tij, Alban Eftimit dhe Artan Shkrelit, për çka është dërguar në Prokurori. Piktorin gjithë Tirana e njeh si Mr. 20% dhe, së fundi, ai është Kryeministri i vetëm në historinë e Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës, që ulet në karrigen e Kryeministrit me një vilë dhe një pallat 5-katësh të ndërtuar pa treguar origjinën e parave me të cilat janë ndërtuar. Për sa i përket Sali Berishës, as ju, as Piktori juaj dhe asnjeri i sojit tuaj, në 23 vjet, nuk keni gjetur dhe kurrë nuk do të gjeni asgjë tjetër përveç shpifjeve, trillimeve të ulëta, dëshmi e amoralitetit total, shprehet Berisha./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›