E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Ka një fushatë shpifjesh dhe terrori ndaj meje, që kur emri im u propozua për president

nishaniPresidenti Bujar Nishani, shprehet se ndaj tij, ka nisur një fushatë shpifjesh dhe terrori, që prej momentit kur u propozua si kandidat për president. Duke folur në një intervistë për Panoramën, ai ka mohuar se bashkëshortja e tij ka pronësi tek godina e PD-së.

Është një shpifje e ulët dhe e neveritshme. Në fakt, nuk është shpifja e parë. Janë po të njëjtat segmente politike që nisën një fushatë shpifjesh dhe ofendimesh të ulëta që ditën që u shpall kandidatura ime për President të Republikës. Po të njëjtat segmente politike i përcollën opinionit shpifjen se unë isha në gjendje shëndetësore të pamundur dhe se lëvizja në karrocë invalidi, kur kisha pesë vite që kryeja detyrën e ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë. Po të njëjtat segmente shpifën duke deklaruar se unë kisha marrë një diplomë Master të falsifikuar, kur në të vërtetë kisha kryer studime dyvjeçare pasuniversitare (madje në të njëjtin grup edhe me eksponentë politikë të PS). Ishin po të njëjtat segmente politike që një ditë para zgjedhjeve parlamentare dërguan në media lajmin se unë kisha kryer një operacion të rëndë dhe se isha në momentet e fundit të jetës, ndërkohë që isha mirë e bukur duke përmbushur detyrat e mia funksionale. Bashkëshortja ime dhe familja e saj nuk kanë asnjë lidhje pronësie mbi territorin ku ndodhet selia e Partisë Demokratike dhe asnjë lloj pretendimi mbi të. Kurrë, asnjëherë. Por ne e dimë mirë se kjo është veçse shpifja e radhës dhe aspak e fundit, shprehet ai.

Në lidhje me dekretin për ti kaluar PD-së godinën e SHQUP-it, Nishani shprehet se ai është ligjor. Nishani thotë se do të vepronte njëlloj, edhe nëse godina do ti kalonte PS-së.

Dekreti doli në momentin që erdhi propozimi zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes. Në ushtrim të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, Presidenti vendosi ta nxjerrë atë dekret. Nga pikëpamja formale, ai dekret është në respekt të plotë të ligjit dhe kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Përsa i takon çështjes që ky objekt i kalon partisë së opozitës si seli, për mua nuk përbën asnjë problem. Ai objekt nuk ishte në përdorim për aktivitetin operacional të Forcave të Armatosura, siç mund të jenë kazermat, depot e armatimit, poligonet, pikat e ndërlidhjes etj. Shfrytëzimi i këtij konflikti midis maxhorancës dhe opozitës për të sulmuar apo intimiduar Presidentin e Republikës nuk është aspak serioz dhe tërësisht i padrejtë. Unë do të kisha vepruar njësoj edhe sikur kjo godinë ti jepej Partisë Socialiste për të njëjtin qëllim. Çdo pretendim për shkelje të ligjit duhet adresuar në institucionet e Drejtësisë, thotë ai./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›