Ndërkombëtarët - Berishës: Në zgjedhje të shkohet me lista të sakta dhe të besueshme
Berisha
Deklaratat u bënë gjatë lëshimit të certifikatës së parë dixhitale në njësinë bashkiake numër dhjetë, gjatë një konference për shtyp, ku së bashku me ambasadorin e OSBE në Shqipëri, Robert Bosch dhe kryetarin në detyrë të delegacionit të KE, Petit, ishte i pranishëm dhe kryeministri Berisha. Ky i fundit, nga ana e tij, e konsideroi si shumë të rëndësishëm hartimin e një regjistri të shtetasve, i cili veç të tjerave, sipas tij, do të bënte të mundur plotësimin brenda standardeve të listave të zgjedhësve, lista të cilat kanë sjellë përherë konflikte në zgjedhjet që janë zhvilluar në Shqipëri, pasi kanë qenë “thembra e Akilit” në manipulimin e tyre. “Dua të theksoj se për mua reforma e gjendjes civile, e kartave të identitetit dhe e pasaportave biometrike është reforma më qendrore, me impaktin më të gjerë. Ajo është reformë me impakt të thellë politik, sepse i jep mundësi vendit të zhvillojë e ketë listat e votuesve dhe të gjithë infrastrukturën teknike të zgjedhjeve nga më modernet. Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo reformë bën të mundur t’iu ofrojmë qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira, shkurton kohën e pritjes për qytetarin, por edhe mundin për punonjësit e gjendjes civile. Dua t’i siguroj qytetarët shqiptarë se nuk do të jetë e largët dita, kur do ta printojnë certifikatën nga shtëpitë”, - u shpreh Berisha